Në një intervistën për median Politico.eu, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka kërkuar mirëkuptim për Serbinë, e cila nuk ka vënë asnjë sanksion ndaj shtetit rus pas pushtimit të Ukrainës.
Lufta e Rusisë ka nxjerrë në pah edhe ndarjet në Ballkanin Perëndimor. Megjithëse Serbia dhe Shqipëria kanë qenë shpesh në mosmarrëveshje gjatë dekadave, Rama u lut për mirëkuptim për pozicionin e Beogradit, shkruan Politico.eu.
“Duhet të kuptoni se Serbia është në një pozicion shumë të ndryshëm nga shumë të tjera, për shkak të historisë së saj, për shkak të lidhjeve të veçanta me Rusinë,” ka thënë kryeministri Rama për Politico.eu.
Ai tha se besonte se Serbia duhet të vendosë sanksione me kalimin e kohës.
“Të kërkosh që të shkojnë atje, tani, dhe në të gjithë gamën, është praktikisht e pamundur … Është vetëvrasëse për ekonominë e tyre”, tha ai.
Ushtrimi i tepërt i presionit perëndimor mbi Serbinë mund të jetë i dëmshëm për stabilitetin e rajonit të Ballkanit Perëndimor, paralajmëroi Rama
“Ne ndonjëherë duhet të durojmë me të tjerët dhe të kuptojmë se çfarë po ndodh, përndryshe nuk mund ta mbajmë këtë komunitet të bashkuar për qëllime më të larta dhe më të mira”, tha ai.
“Mendoj se Serbia është në rrugën e duhur. Sigurisht, jo me shpejtësinë që mund të na pëlqen, mund të dëshirojmë. Por më besoni, skenarët e tjerë janë vërtet shumë të keq për të gjithë dhe veçanërisht për këtë rajon”, tha tutje Rama në këtë intervistë.





















