Cherie Blair, gruaja e ish-Kryeministrit britanik, Tony Blair, gjatë një takimi të zhvilluar sot me Ambasadorin e Kosovës në Londër, Lirim Greiçevci, ka dhuruar një fustan në mbështetje të fushatës “Mendoj për Ty”.
Ambasada bën me dije se fustanin e dhuruar ajo e kishte veshur gjatë një darke shtetërore të shtruar nga Mbretëresha në Pallatin Buckingham.
Ajo në këtë mënyrë u solidarizua me të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë në kuadër të instalacionit artistik me fustane të dhuruara nga personalite të ndryshme.
Pas superyllit Rita Ora, Baroneshës Anelay, Ministre e Shtetit në Qeverinë Britanike, Cherie Blair është kontribuesja prestigjioze e radhës nga Britania e Madhe e fushatës “Mendoj për Ty”, e ideuar nga artistja e mirënjohur Alketa Xhafa Mripa dhe e cila po zhvillohet nën kujdesin e Presidentes Jahjaga, ka theksuar kjo Ambasadë përmes një postimi në Facebook.
















