Madje se një situatë e tillë pritet të ndryshojë, ka pak gjasa. Kjo pasi zyrtarët qeveritarë pranojnë se ende nuk është marrë asnjë vendim apo propozim për ndonjë emër të mundshëm që ta emërojnë si ministër të Integrimeve Evropiane.
Partia Demokratike e Kosovës e cila si partner koalicioni me LDK-në duhet ta propozojë nje emër për këtë, nuk po deklarohet.
Shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, njëherësh edhe anëtar i Kryesisë Zenun Pajaziti tha për lajmi.net se kjo është punë e Kryeministrit dhe kryetarit të PDK-së.
“ Nuk dua ta komentoj këtë, pasi kjo është detyrë e kryeministrit Mustafa dhe kryetarit të PDK-së Kadri Veseli”, u shpreh ai.
Ndërkaq, nga zyra e kryeministrit e bëjnë të ditur për lajmi.net se ende nuk është marr asnjë vendim për këtë çështje.
“Në kohën kur do të ketë vendim te Kryeministri, do t’ua bëjmë me dije”, tha zëdhënësi i kryeministrit Mustafa, Faton Abdullahu.
Kjo situatë po vlerësohet shqetësuese nga njohës të integrimeve evropiane. Analisti Emrush Ujkani tregon për lajmi.net rëndësinë që ka kjo ministri dhe çfarë duhet ndërmirret që t’i jepet zgjidhje kësaj çështje.
“Vleresoj që pozita e Ministrit të Integrimeve vazhdon të jetë një prej ministrive kryesore në shtyrjen përpara të agjendës evropiane. Fakti qe kjo ministri ka mbet pa të zotin e shpisë gjykoj është vertet shqetësuese kur dihet fakti se BE vazhdon të jetë një ndër partneret strategjik të Kosovës” tha Ujkani.
Ky dikaster, siç thekson ai, mbase edhe mund tek bartet tek Ministria e Punëve të Jashtme ashtu sikur kanë vepruar një numër i vendeve nga rajoni.
“E rëndësishme është që përfundimisht duhet t’i jipet një zgjidhje kësaj çështje sa më shpejt të jetë e mundur”, sqaroi ai.
Bekim Çollaku ka dhënë dorëheqje nga pozita e ministrit të Integrimeve Europiane më 9 shtator të 2016-ës.























