Pak, shumë pak njerëz e mbajnë mend që bashkë me Benin (Blushin) dhe Mozën (Hafizin) në nisje të lëvizjes së Blushit për mbajtjen e zgjedhjeve në parti, ishte edhe Arta (Dade). Blushi asokohe nuk kishte asnjë arsye të kundërshtonte asnjë afrim të askujt prej figurave të PS në nismën e tij, dhe aq më pak atë të Arta Dades.
“Zysha” siç njihet zonja Dade në PS (për shkak të kaluarës së saj si profesore në Fakultetitn e Gjuhëve të Huaja), përbënte përpos arsyes, edhe imazhin e bukur të kërkesës së Blushit për të shpëtuar demokracinë e PS-së nga kapja përfundimtare me statut e referendum, siç bëri Rama.
PS, pak kohë më parë zhvilloi referendumin që i dha Ramës mandatin e përjetshëm të kryetarit të një partie që tashmë është zyrtarisht pronë e tij, por me një problem të njohur për socialistët. Ashtu siç e faktoi dhe emisioni investigativ STOP, në ato pak qendra votimi ku arriti të penetrojë kamera e fshehtë rreth e qark Tiranës, u konstatua (me zë e figurë) sesi persona të paidentifkuar në listat zgjedhore të PS-së, jo vetëm që merrnin pjesë në votim, por i lejonin vetes të votonin 2 e më shumë herë për “PO-në publiçitare” që kërkonte me çdo kusht Rama.
Ben Blushi me të drejtë pas këtyre fakteve publike, kërkoi hapjen e kutive. Një kërkesë që tani atij ia mbështet vetëm Moza, sepse Arta që prej ditës së zgjedhjeve nuk duket më andej rrotull.
Që në fillim, angazhimi i Arta Dades krah Blushit e kundër Ramës zgjoi habinë e të gjithëve, e sidomos atyre që e dinë se djemtë e saj janë në partneritet të hershëm e të pandarë për asnjë çast me Edi Ramën. Madje edhe atëhere në 2009-ën, kur Arta Dade protestonte duke u ulur në mes të rrugës kombëtare Gjirokastër-Tepelenë në kuadrin e mosbidnjes civile të iniciuar nga Rama me moton “Hap kutitë, ose largohu”.
Atëhere kur Edi Rama kishte nevojë për të hapur kutitë dhe për të ruajtur postin e kryetarit, Dade që u ul në mes të rrugës kombëtare që kjo të ndodhë. Sot që Edi Rama ka të njëjtën nevojë, por me kusht që kutitë të mos hapen. Prandaj sot është e pamundur që zonja Dade të ulet sërish në protestë në mes të rrugicës së PS-së dhe sigurisht që kjo nuk do të ndodhë.
Sepse si atëhere e si tani, kërcënimi është i njëjti, ai Ben Blushi.

















