Një pjesë e mirë e infeksioneve të reja që regjistrohen prej dy javësh në Britaninë e Madhe janë persona që janë vaksinuar me një ose dy dozat e vaksinës AstraZeneca.
Kjo e dhënë ka çuar ekspertët vendas të dyshojnë se vaksina e kompanisë britanik-suedeze nuk mbron nga ky variant i Covid.
Britania e Madhe ka vaksinuar pjesën më të madhe të popullsisë së saj me dozat e AstraZenecas, ndërkohë që autoritetet po mundohen të kuptojnë se përse varianti indian është më i përhapur në ishull se kudo tjetër në Europë.
Një hipotezë që po qarkullon është se të gjitha vaksinat e tjera, me përjashtim të AstraZenecas garantojnë një mbrojtje të mirë ndaj këtij mutacioni të virusit, që përgjithësisht nuk shoqërohet me simptoma.
Mes vaksinave efektive ndaj variantit indian studime paraprake rendisin edhe vaksinat kineze, mes të cilave edhe atë Sinovac, që është më e përdorura në Shqipëri, pasuar nga vaksina AstraZeneca.
“Bazuar në studimet paraprake, vaksinat në përdorim në Kinë mund të sigurojnë mbrojtje kundër infeksionit të koronavirusit “deri në një farë mase”, tha Shao Yiming, një ekspert i Qendrës Kineze për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve (CDC).
Ekspertët kinezë kishin thënë javën e kaluar se të paktën 18 raste të variantit Covid-19 të zbuluar së pari në Indi ishin zbuluar në Kinë. “Kina i ka kushtuar vëmendje të madhe variantit të koronavirusit të zbuluar në Indi dhe po kryen kërkime dhe akumulon të dhëna për të”, tha Shao.