Nën sloganin “Policia që duam”, ministri i brendshëm, Saimir Tahiri ka bërë publike me të madhe disa raste sporadike kur rrugorët kanë gjobitur edhe deputetë.
Së fundi trendit i shtohet shpërndarja e kamerave të trupit, ku tregohet se policia nuk toleron as personazhe të njohur publike apo ata të veshur me pushtet, megjithëse deri tani “fokusi” i këtyre kamerave nuk ka kapur asnjë zyrtar të qeverisë apo të mazhorancës.
A janë vërtet ata aq të rregullt sa nuk i shkelin rregullat e qarkullimit, apo policia nuk i ndëshkon? Kësaj pyetjeje i përgjigjet një video e publikuar nga Nisma Thurje. Pamjet filmike që mund t’i shihni më poshtë shërbejnë për të treguar standardin e vërtetë të njerëzve më uniformë, atyre që janë në radhën e parë të performancës së një qeverie; janë pasqyra që tregojnë fytyrën e vërtetë të saj.
E njëjta rrugë, ajo përpara Partisë Socialiste, është filmuar në dy ditë të ndryshme. Në njërën ditë, sipas Nismës Thurje shihen makina të zyrtarëve të PS, të cilat nuk gjobiten, edhe pse tabela nuk lejon ndalimin e tyre. Një efektiv i policisë së rendit u afrohet atyre, por nuk ndërmerr asnjë masë.
Nuk ndodh kështu ditën tjetër. Makinat e qytetarëve gjobiten pa stepjen më të vogël. Janë sërish njerëzit me uniformë, edhe pse ato të policisë bashkiake. Janë të njëjtët që mund të kishin gjobitur e ndëshkuar edhe makinat e zyrtarëve të PS, por kjo nuk ndodhi.
Nisma Thurje sqaron se në rastin e parë tregohej se si policia, pasi kishte marrë një ankesë nga qytetarët se përpara Partisë Socialiste makinat ishin parkuar në kundërshtim me tabelën, erdhi dhe nuk ndërmori asnjë masë, edhe pse e konstatoi shkeljen.
Ndërsa në rastin e dytë, qytetarët që kanë parkuar nën shembullin e zyrtarëve të PS përpara selisë, në vendet bosh të lëna prej tyre, pasi sot është ditë pushmi dhe në PS nuk ka asnjë përfaqësues të saj, janë ndëshkuar që të gjithë.
Ky shembull tregon në mënyrën më të qartë se si e trajtojnë ligjin efektivët e policisë; e përdorin për të ndëshkuar qyetarët dhe e injorojnë kur bëhet fjalë për zyrtarët e partisë në pushtet.
















