Daut Dauti
Me 29 prill, është dita që shënon vizitën historike të delegacionit të shtetit shqiptar në Londër në vitin 1913.
Në këtë fotografi, të cilën e kam bërë para disa viteve, shihet shtëpia në të cilën ka qëndruar Isa beg Boletini kur erdhi në Londër, si pjesëtar i delegacionit. Shtëpia gjendet në Mayfair të Londrës dhe ka qenë pronë e Aubrey Herbert-it, mikut të shqiptarëve dhe kryetarit të Komitetit Shqiptar.
Herbert kishte respekt të madh për mikun e tij, Isa Boletinin. Kjo ishte arsyeja që ai vendosi ta nderonte Isën si mysafir të tij personal, derisa delegatët tjerë qëndronin në hotel. Këtë shtëpi Herbert e shfrytëzonte vetëm kur vinte në Londër për takime dhe organizime të veçanta.
Aubrey Herbert kishte lindur dhe jetonte në “Highclere Castle” që është një ndër kështjellat më të mëdha dhe më luksoze në Angli. (Kjo kështjellë sot është e popullarizuar pasi që në të është gjiruar “Downtown Abbey” një nga seritë më të shikuara televizive në Britani dhe më gjërë).
Por, edhe kjo shtëpi në Londër ka hyrë në histori dhe përmendet në disa libra, përfshirë librin e kujtimeve të Herbertit dhe atë që quhet “The man who was Greenmantle” e që është libër biografik i Aybrey Herbert-it, të cilën e ka shkruar Margaret Fitzherbert. Në këtë libër paraqiten disa nga detajet e qëndrimit të Isa Boletinit në Londër.
Autorja e quan “bandit” , Isa Boletinin, i cili me praninë e tij kishte zgjuar interesim të madh në kryeqytetin britanik. Fitzherbert e përshkruan momentin kur Isa Boletini, “Banditi i Ballkanit”, ishte takuar me “Banditin e politikës britanike”, siç e cilëson ajo edhe lordin Lloyd George, i cili atëherë ishte ministër i financave, por më vonë u zgjodh edhe kryeministër i Britanisë së Madhe.
Herbert e kishte organizuar takimin e dy banditëve për drekë në restoranin e Toni Preshës, të vetmit shqiptar të rëndësishëm që përmendet të ketë jetuar në këtë kohë në Londër.
“Që të dy banditët i pëlqyen menjeherë njëri tjetrit”, shkruan Fiztherbert.
Në bisedë e sipër, Isa ia kishte thënë lordit, kolegut të tij bandit, edhe këto fjalë: “kur t’del pranvera kena me i plehnu tokat e Kosovës me eshnat e serbve…”, të cilën fjali Herbert ia kishte përkthyer lordit në anglisht me pak zbutje.
Sidoqoftë, kur delegacioni shqiptar ishte kthyer në Shqipëri kishte lindur një problem që kishte të bënte me Isa Boletinin dhe që u transmetua në shtypin britanik. Fitzherbert e përshkruan problemin në vijim:
“Në tetor të vitit 1913, jo shumë kohë pas kthimit të Isës në Shqipëri, Aubrey lexoi në gazeta se ai [Isa] ishte kapur nga serbët në një luftim gueril. Duke i ditur shprehitë serbe, Aubrey ishte i sigurtë se Isa do të vritej në burg. Aubrey me nxitim shkoi në Foreign Office [Ministria e Jashtme Britanike]. Aty, shokët e tij i thanë se intervenimi për banditët shqiptarë ishte jashtë fushës së tyre, por sygjeruan që Aubrey të gjente një njeri të madh, i cili do të merrej me këtë rast. Aubrey shkoi te Lordi Cromer. Lordi Cromer i tha: ’A është punë politike apo rast për t’i ndihmuar ndonjë mikut tënd? Nëse është për ndonjë mik tëndin do të shoh se çka mund të bëj’. Aty, ai menjëher e hartoi një telegram që iu dërgua mbretit të Serbisë. Të nesërmen Aubrey ishte shumë i kënaqur, por edhe i turpëruar kur lexoi në gazetat e mëngjesit: ’Dje është shkruar se Isa Boletini është zënë rob nga serbët. Rasti paraqitet të jetë i kundërt. Udhëheqësi bandit në fjalë u ka shkaktuar humbje të mëdha forcave të kombinuara serbe dhe malazeze’. Lordi Cromer e mori turpin përsipër dhe u shfry duke i telefonuar Aubrey-it: ’Pse më shtyre t’u lutem [serbëve] për këtë ngadhnjimtar?’ Sidoqoftë, në fund Isa Boletini u takua me vdekjen, ashtu siç e kishte parashikuar Aubrey. Ai u vra në burg në Mal të Zi. I vrau 8 veta para se të kapej i plagosur rëndë dhe të sillej në burg në Podgoricë (Titograd).”






















