Petrit Kuçana
Ethet e pritjes së lajmeve nga “Panamaja” për Shqipërinë, janë shfaqur tashmë nëpër media duke u përpjekur si zakonisht faturimin politik të palës kundërshtare. Ndërkohë nga klasa politike ka një qetësi të madhe, gjë që duket e parapërgatitur të “neutralizojë” çdo lloj lajmi të madh që mund të vijë nga andej.
Do të jetë fatkeqësi nëse gjithçka do të mbetej thjesht një përmbushje të një kurioziteti. Mbase do të duhej të kishe guxim të marri, për të parashikuar ndonjë tërmet apo fortunë për ndonjë lajm që mund të vijë nga “Panama papers”. Druajtja është e madhe se gjithçka do të mbetet në kuadër të një lajmi, që zgjat tre ditë, e harrohet avash avash. Vëmendja e publikut do të fokusohet me shpejtësinë e dritës në ndonjë gjë 9ndodhi) tjetër dhe Show must (not) go on…
Në pritje të lajmeve nga Panamaja, të gjithë janë në dijeni të disa “panama shqiptare” që janë sfumuar deri në shtjerrje të çdo të reje, lajmi, që gjithmonë mbaron me hetimet vazhdojnë.
Janë ato lajme që CEZ-DIA-s që thuhet ndonjë shifër, që përgënjeshtrohet shpejt e shpejt dhe hidhet ndonjë shifër tjetër, si ato shifrat me zë dhe me figurë, që (sh)figurohen me ndonjë vendim që “s’duhet” diskutuar të gjykatave shqiptare. Lufta kundër korrupsionit patjetër që mbetet kryefjalë e fjalimeve të gjata apo të shkurtra, por deri më sot nuk kemi parë as edhe një “peshk” të madh, të rënë në rrjetën e drejtësisë. Mbase nuk duhet të shikohen raportet ndërkombëtare për korrupsionin, ku Shqipëria padyshim është e fundit në rajon… dhe nuk len asnjë hapësirë shprese se dikush nga të mëdhenjtë do të penalizohet.
Për një qytetar shqiptar që jeton në perëndim do të ishte e pa-përceptueshme që një politikan në vetëm pak vite ka arritur të ndërtojë pasuri të jashtëzakonshme, kur paga mujore e tij në perëndim mund të jetë tre apo katër herë më e madhe bie fjala se e deputetëve . E nëse kjo “ndodh” në Shqipërinë e mundësive të mëdha, si është e mundur që askush nuk e vret mendjen se mund të penalizohet.
“Imunizimi” ndaj drejtësisë ua siguron vetëm politika, dhe vetëm kur shkel aty ku s’mban mund të penalizohet dhe siç e kemi parë “penalizimit” shkojnë në ndonjë “përjashtim” partie.
Po media? Është fakt se duhet të shikojmë të paktën dy televizione që të marrim vesh të vërtetën, duhet të lexojmë disa gazeta që mund të krijojmë ndonjë ide më të qartë dhe për hir të së vërtetës, deri më sot kemi parë vetëm media në llogore, (që lëvizin ngapak “shënjestrën në vartësi të ofertave) që as që mund të pritet që të dalë ndonjë “lajm” prej tyre.
Madje përveç ndonjë media “të jashtme” (që mund të financohet nga jashtë), apo ndonjë gazetari kurajoz, të gjitha “lajmet e tjera” kanë qenë ndonjë gërvishtje e lehtë për pasunikët. Ka një shpresë nga portalet, por që duke qenë në fazat e para, pamundësia financiare nuk ua bën të mundur ndërmarrjen e iniciativave investiguese.
Sa e vështirë është për televizionet kombëtare të investigojnë pasuritë e politikanëve dhe të mos mjafton me makinat me të cilat lëvizin apo veshjet, orët apo pushimet, apo lajmet limonatë…
Deri më tani nuk e kemi parë. Ka qenë vetëm një skandal seksual që rrëzoi një ministër, që u denoncua nga media dhe asnjë “skandal” që të paktën të frikësojë të radhiturit si të paprekshmit e mëdhenj. Askush nuk di pasurinë e atyre që quhen pashallarë, të atyre që dikur deklaronin 3000 euro pasuri, të atyre që ua paguan mamaja shumë gjëra, apo atyre që kishin trashëgimi nga gjyshja apo vjehrra…
Gjiri i Lalzit apo Surreli nuk janë aq larg nga Tirana, ajo Tirana brenda unazës, ku u vodh serveri i tatimeve, ku u vodhën paratë e bankës, ku u vranë drejtues bankash…ku…nga lajmi në lajm thjesht gërvishtës dhe në dorë të drejtësisë… ku hetimet vazhdojnë…
Nuk duhet as ndonjë llogaritar i stazhinuar për të bërë përllogaritjet, me vilat qindra milionëshe, me makinat luksoze, e nëse do ua bjerë rruga edhe këtej nga Londra thjesht për kuriozitet të hetojnë për fëmijët e tyre që shkollohen në shkollat më të shtrenjta britanike, ku një vit shkollor (vetëm për shkollën) kushton £50 000 paund, e më e lehtë është të numërosh fëmijët e atyre që nuk i kanë patur apo nuk i kanë fëmijët e tyre në këtë shkolla. Natyrisht jo vetëm ministra e deputetë, por edhe pronarë mediash e funksionarë të tjerë, të varur, të pavarur… të kulluar…
Po mbeten në pritje të reformimit të sistemit të drejtësisë, apo lajmeve që do të vijnë nga Panamaja?
Një gjë është e sigurtë. Shqiptarët meritojnë të informohet, jo vetëm ata 100 mijë që u detyruan të ikin, apo ata 200 mijë që aplikuan për të ikur…















