Kamerieri ia sjell një shpuzore të filxhanit për t’i mundësuar klientit që të ndezë cigaren këto ditë kur moti në Prishtinë ka filluar të ftohet.
Veprimi i kamerierit sikurse edhe i duhanpirësit janë të kundërligjshëm pasi duhani ndalohet në tërësi në hapësirat e mbyllura publike.
Por, edhe Ligji për Kontrollin e Duhanit nuk po gjen mbështetje në Kosovë, sidomos gjatë muajve të vjeshtës dhe dimrit, kur qytetarët për shkak të temperaturave në rënie në kundërshtim me ligjin po tymosin brenda lokaleve.
E pronarët dhe punonjësit e restoranteve tregojnë se kanë gjetur metodën.
“Ne ua bëjmë zile ndonjëherë numrave të inspektoratit që nëse dikush paraqitet në lokal fajësojmë klientët për mosbindje, kurse arsyetohemi se kemi thirrur inspektoratin, por nuk na është lajmëruar askush”, thotë një kamerier nga Prishtina që nuk preferon të prezantohet me emër.
“Nëse flasim me emër nesër e kemi inspektoratin këtu”, thotë ai.






















