Thërres në mëngjes një mikun tim. E pres poshtë shtëpisë dhe nga ana tjetër shoh një grua që vjen me bukë në dorë drejt meje. Dëgjoj portën pas, që hapet dhe shoh një burrë kokë ulur, i vrejntur, me duart në xhepa, që lëshon një kollitje të rëndë. Ngre kokën për nga unë. Hedh një shikim të egër dhe në një farë mënyre në imagjinatën time, fjala “mirmëngjes”, që nuk ka dalë nga goja e burrit të përgjumur, mu duk krejt e burgosur. Asnjë grimë gëzimi në sytë e tij. Ai ikën, ktheu dhe njëherë kokën me dyshim nga unë dhe sërish me lë shijen e egërsis. Pas ikjes së tij, ishte afruar dhe gruaja me bukën në dorë. Ajo qante duke mbajtur në maksimum veten. Një ngashërim e dobët më kapi veshin. Deri sa kaloi në krahun tim ajo nuk e ngriti kokën. Humbi pas një porte në fundin e rruginës. S’kaluan as dy minuta, edhe paralel me mua dëgjoj një përplasje të zhurmshme dere. Një djalë me kapuç në kokë, del duke sharë nga shtëpia. I dridhej trupi. Ishte në gjendje të tensionuar. Nga dritarja e shtëpisë së tij, me sa dukej nëna e thërriste dhe i thoshte të ngjitej lart. “Eja merri, eja po të them”. Ai e ktheu kokën nga ajo dhe bërtiti deri në kup të qiellit, “Nuk duaa ik futu lart se të q… r…” . Të dy panë nga unë, gruaja e turpëruar u fut pas dritares dhe përhumbi mes fjalëve të rënda të të birit, ndërsa ai më në krizë nga ç’ishte u kthye nga unë dhe tha: “Ça ke që shef”. E shpërfilla. Të fundit, që kaluan para se të vinte miku im ishte një çift. Në pamje të parë ngjanin normal dhe simpatik. Midis fjalëve të tyre, kapa një frazë lutjeje të cilën vajza ia drejtoi të dashurit, “A më the që nuk do të pi, të lutem mos pi më. Si më ke thënë...”. Në një fraksion sekondi, ajo hodhi shikimin nga unë si një urë, që horizontalisht ndau të njëjtin ndjesi, edhe sytë e saj sikur më thanë “Të duash ndonjëherë do të thotë të ndryshosh…”.
Ndjeva dridhjen e telefonit. Ishte një numër i panjohur. E hapa. Nga ana tjetër e telefonit një zë femre më thotë këto fjalë: “H. jam L. nuk kam ofertë, kur do të takohemi do të them “diçka””. Ishte e dashura. “Çfarë ke e pyeta” . “Aman, erdhi java e për të paguar tarifën e masterit, ata të mitë nuk i kanë të gjitha, nuk di si t’ja bëj. Do të më ndihmosh?! “ .
Për mos ta ngarkuar më tepër gjendjen e saj i thashë, se flasim më vonë.
Hapet porta e shtëpisë së shokut tim. Me sytë e buhavitur nga gjumi dhe me një shenjë mërzie në fytyrë më thotë “mirmëngjes”. “U mërzite, u vonova shumë?” . “Jo” i thashë, me buzqeshje. Më hodhi dorën mbi sup, edhe gjithë siklet më thotë:
–Do më japësh një kafe, s’kam sot, i kam marrë shumë atyre të shtëpisë nuk doja t’i kërkoja.
–Kam unë vëlla mos e vrit mendjen.
–Kam ca kaçole të marr ca cigare, vetëm ca kaçole për tu helmuar na ka mbetur.- tha ai
Edhe pas kësaj batute të dy qeshëm, qeshëm për realitetin e përditshëm tonin…















