Bare, pub-e, restorante e teatro po mbyllen në mbarë Britaninë mes përpjekjeve për të frenuar përhapjen e koronavirusit. Kryeministri Boris Johnson duket ka hequr dorë nga ideja e “imunizimit të turmës” , strategjia që lejon përhapjen e virusit me qëllimin që njerëzit të krijojnë imunitet.
Tani edhe Anglia po izolohet, teksa shkencëtarët paralajmërojnë se masat e distancimit social mund të duhet të qëndrojnë në fuqi për disa muaj, si zgjidhja e vetme përballë epidemisë, dhe kinema, klube nate apo palestra nuk e dinë se kur do të mund t`i hapin dyert sërish.
Ndersa sëmundja COVID-19 përhapet në gjithë botën, qeveri, kompani e investitorë janë duke u përballur me krizën më të rëndë të shëndetit publik qe prej pandemisë së vitit 1918. Johnson tha se e kupton sa e vështirë është që të ndalohet tradita e britanikëve për të vizituar baret, por një gjë e tillë tani është kthyer në domosdoshmëri.
Mbretëria e Bashkuar deri më sot ka raportuar për gati 4000 të prekur më Covid 19 pas testimit të kryer në 67.000 persona. Autoritetet atje theksojnë se përhapja e virusit është më e madhe në Londër, pasi një pjesë e banorëve atje nuk e zbatoi këshillën e qeverisë për t’u izoluar. Deri më tani 177 persona kanë vdekur si pasojë e kësaj sëmundjeje në Britani.



















