“Në Partinë Demokratike vendosin analistët dhe klientelizmi”
Deputetja demokrate, Mesila Doda, shpërthen ndaj linjës së PD-së për bojkotin e Kuvendit, duke fajësuar pikërisht kreun e partisë më të madhe opozitare, Lulzim Basha. Vendimi i marrë nga PD-ja për bojkotin, që nga muaji korrik, po krijon çarjet e para brenda demokratëve, ku linja zyrtare po kontestohet.
Përmes një reagimi për këtë çështje në faqen e saj zyrtare në rrjetin social “Facebook”, Mesila Doda ironizon dhe thirrjet e kryetarit Basha për të vijuar bojkotin, teksa shprehet se të gjithë që duan bojkotin e opozitës janë jashtë Parlamentit. Ndërsa sa i përket bojkotit, Doda thekson se për mazhorancën dhe qeverinë në veçanti, është një komoditet i shtuar nga opozita me mospraninë e saj në Parlament. “E keni vënë re që në pjesën dërrmuese të rasteve këta që janë partizanët e bojkotit janë vetë jashtë Parlamentit? Mund të ketë shumë argumente pro e kundër, por unë besoj fort që me këtë gjendje ekonomike, politike dhe sociale që po kalon sot Shqipëria, është komoditet për çdo qeveri të mos e ketë opozitën në Parlament, e për pasojë, të mos ketë asnjë përballje e pengesë përpara vetes. Ditët e ardhshme do të duhet të kemi një diskutim shumë më të gjerë e të vërtetë dhe veçanërisht me deputetët e opozitës, sepse janë ata që duhet të marrin vendime për aksionet e tyre politike, jo analistët apo klientelizmi politik”, shkruan Doda. Duke vijuar më tej në komentin e saj lidhur me situatën kaotike që ekziston brenda së djathtës, deputetja demokrate thekson se vijimi i bojkotit nënkupton zhbërje të grupit parlamentar, pasi, siç thotë ajo, vendimet e mëdha politike duhet të merren nga shumë individë, dhe jo nga një grusht njerëzish që me qëndrimin jashtë Parlamentit, rrezikojnë frymën e grupit parlamentar, të cilët nuk arrijnë të inspirojë askënd. “Demokracia është sistemi politik, ku vendimet merren nga shumë individë, jo nga një grusht njerëzish, shumica e të cilëve as nuk duan t’ia dinë se çfarë do të bëhet me këtë vend dhe deri ku duan ta zhbëjnë rolin e vërtetë të opozitës. Kam dëgjuar shpesh të thuhet se opozita është frymë, është inspirim, është moral. Të zhbëhet roli i një grupi të madh parlamentar nuk sjell as frymë dhe as inspirim”, shkruan deputetja demokrate, Mesila Doda në komentin e saj.
Mbledhjet
Që prej datës 2 shtator, një ditë pasi Kuvendi miratoi ndarjen territoriale të vendit, Lulzim Basha nuk ka zhvilluar asnjë mbledhje me grupin e deputetëve të tij, por as me deputetët e partive aleate. Ndërkohë, flitet që javën e ardhshme, do të ketë një mbledhje grupi, ku Basha do të bëjë një raportim lidhur me vizitën e tij në Bruksel. Kuvendi, pa praninë e opozitës, mori vendimin për ngritjen e dy komisioneve hetimore, të kërkuara nga ana e PD-së. Ky ka qenë dhe një prej shkaqeve që PD-ja po bojkoton Parlamentin që nga muaji korrik. Kryedemokrati i cilësoi këto votime si një detyrim që Kuvendi ka për të zbatuar Kushtetutën dhe vendimet e gjykatave. Ndërsa ka bërë të ditur se fundi i bojkotit do të vijë vetëm pas një marrëveshjeje mes tij dhe Ramës me garancinë e ndërkombëtarëve. PD-ja po insiston që ndërmjetës i kësaj marrëveshjeve të jenë përfaqësuesit e Komisionit Europian, pse jo komisioneri për Zgjerimin, Hann. “Është e qartë se rrëshqitja nga standardet demokratike është një alarm i madh edhe për Komisionin e ri Europian dhe në këtë kuadër mendoj se angazhimi i komisionit të ri, i komisionerit Hann, presidentit Juncker, i Parlamentit Europian dhe përfaqësuesve të PPE-së në të gjitha këto struktura do të jetë i domosdoshëm dhe frutdhënës për t’i dhënë fund praktikës së zhbërjes së standardeve demokratike në Shqipëri, si një parakusht për të garantuar ecjen përpara të Shqipërisë në rrugën e integrimit europian”, theksoi Basha në takimet që zhvilloi në Bruksel, në Samitin e PPE-ve.
















