Demokratët janë të vendosur për të qëndruar deri në fund jashtë Parlamentit, pavarësisht se kur skadon mandati i tyre. Deklarata vjen nga kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Edi Paloka, i cili në një intervistë dhënë dje për “Top Channel”, u shpreh se nuk kanë ndërmend të shikojnë datën se kur u mbaron mandati deputetëve të opozitës, të cilët prej afro 6 muajsh kanë bojkotuar të gjitha aktivitetet parlamentare. “Ne nuk bëjmë llogari aritmetike. Vendimi ynë për të dalë nga Parlamenti është vendim politik dhe ne nuk mund të rrimë e të shohim datën se kur do të skadojë mandati. Ato llogari le t’i bëjë Rama me Metën. Kemi marrë një vendim politik dhe do t’i qëndrojmë deri në fund”, tha Paloka. Duke vijuar më tej, kreu i ligjvënësve të PD-së theksoi se ky vendim do të qëndrojë në fuqi deri sa mazhoranca qeverisëse të zbatojë kërkesat e tyre sa i përket një marrëveshjeje të monitoruar nga ndërkombëtarët, ku qeveria t’i rikthehet zbatimit të ligjeve dhe Kushtetutës në vendimet që ajo ndërmerr. “Nëse nuk zbatohet ajo që ne kërkojmë, pra, një marrëveshje nën monitorim ndërkombëtar që kjo qeveri, kjo mazhorancë të zbatojë ligjin dhe Kushtetutën, atëherë, ne me atë të ashtuquajtur Parlament s’kemi asnjë lidhje”, u shpreh Paloka. I pyetur edhe në lidhje me nismat e ndërmarra nga mazhoranca në Kuvend, e cila gjatë javëve të fundit ka miratuar pa praninë e saj në Parlament dy prej kërkesave të opozitës: zbatimin e vendimeve të Gjykatës Kushtetuese për ngritjen e komisionit hetimor për serverin e Tatimeve dhe ndryshimin e rregullores për të drejtën e fjalës nga opozita menjëherë pas Kryeministrit, për Palokën këto veprime janë jo vetëm të vonuara, por edhe tallje me shtetin ligjor. “Kushtetuta nuk është për t’u zbatuar sipas tekave të Ramës dhe Metës. Kur është në humor Rama, ta kalojmë, dhe kur nuk është në humor, ta pengojmë. Janë veprime që duhet të ishin bërë shumë më përpara dhe sot situata është e tillë që nuk rregullojnë dot gjë me farsa të tilla”, tha Paloka. Ndërsa në lidhje me zërat për thyerje të bojkotit nga disa prej deputetëve të djathtë, kreu i grupit parlamentar të PD-së thekson se ky vendim është një vendim i marrë nga vetë partia. Dhe kushdo që nuk e ndien veten pjesë të partisë, shton Paloka, është i lirë të bëjë zgjedhjet personale. “Unë flas për vendime politike dhe opozita, Partia Demokratike, funksionon në bazë të këtyre vendimeve. Gjithsecili, pastaj, le të bëjë zgjedhjet e tij personale. Nëse mendon se atë mandat nuk ia ka dhënë PD-ja, por e ka marrë për meritë të vet, atëherë le të shkojë në Parlament. Mandatet na i kanë dhënë njerëzit, jo për t’u bërë farsë në një vend ku mblidhen gjoja deputetë dhe një gjoja qeveri”, u shpreh Paloka. Në përfundim, deputeti demokrat theksoi se PD-ja në këto momente është përqendruar te protestat qytetare kundër qeverisë “Rama”. “Ne do të merremi me njerëzit dhe sigurisht që përgjigjja do të jetë vetëm protesta. Protestë ndaj një qeverie dhe ndaj një Kryeministri, që nuk ka fjalë tjetër veç burg. Burg për gjithçka. Ky është Rama, kështu që me një njeri të tillë unë mendoj që vetëm me protesta dhe forma të tjera mund të merresh vesh”, u shpreh Paloka.
















