Kushedi sesi është ndjerë Ministri i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë së Shqipërisë z Blendi Klosi ndërsa shpërndante disa çmime për mërgimtarët e vitit në Kosovë.
E mbase “kolegët” e Kosovës do ta kenë frymëzuar Ministrin që të paktën të krijojë ndonjë ide për aktivitete të ngjashme në Shqipërinë amë. Vërtet Kosova duhet të mbetët shembull, jo thjesht për Ministrinë e Diasporës, e cila jo vetëm që mungon tërësisht në republikën e Shqipërisë, por as nuk e vë kush ujin në zjarr për t’u luajtuar për emigrantët, të rinj apo të vjetër.
Mbase së paku i ka kujtuar ministrit Klosi se nuk është ndonjë gjë e pamundur sigurimi i të drejtës së votës për shqiptarët që jetojnë jashtë, duke u bërë edhe Shqipëria si të gjitha vendet e rajonit dhe më gjerë, e mbase duhet të pyesë paraardhësin e tij z.Veliaj tashmë kryebashkiak, për atë platformën që e kishte të gatshme dikur, kur ishte drejtues i Mjaft-it.
Do të ishte e mirëpritur edhe printimi i një pulle postare “Diaspora” siç ndodhi në Kosovë, e pse jo ndonjë aktivitet në fund të fundit i tipit të Fresh-it nëpër bregdetin shqiptar.
Asgjë nuk do ta ndalonte ministrin e Rinisë (së mbetur) që të koordinonte veprimet me dikasteret e tjera shtetërore për t’iu afruar realizimeve mbresëlënëse në Kosovë kryesisht vetëm për diasporën.
Të paktën për pak ditë emigrantët nuk do të ishin pjesë e lajmeve të përditshmërisë për numrin rekord të largimit të tyre, apo thjesht statistika numërimi për kokë të emigrantëve të ardhur, për të mos perënduar problemet e shumta… që emigrantët nxjerrin me trafikun me rritjen e çmimeve në zona të caktuara e probleme të këtij lloji.
Do të ishte historike çdo iniciativë e ministrit Klosi në këtë këndvështim, )madje do ia kalonte edhe kreativitetit të paraardhësit të tij, zVeliaj që kur ishte në opozitë rendte më abetare nëpër emigrantë) ,qoftë edhe me ndonjë medalje mirënjohjeje (si në rastin e Kosovës) të atyre emigrantëve që prej vitesh janë shndërruar në ambasadorët më të shkëlqyer të vlerave shqiptare në botë. Petrit Kuçana
















