Ditët e fundit, në sistemin spitalor të Durrësit ka patur një kujdes në rritje për mbrojtjen ndaj sëmundjes kanceroze të melanomës.
Mjeku dermatolog, Besnik Myshketa, thotë se sot vizitat e tre mjekëve dermatologë pranë spitalit dhe ambulancës së qytetit do të jenë falas, me synim sensibilizimin e qytetarëve për rrezikun e kësaj sëmundjeje.
Dr. Myshketa tha se fillimi i stinës së nxehtë krijon kushte për vetëkontrollin e lëkurës nga kushdo, ndërsa zgjatja e ditës e shton rrezikun e goditjes nga rrezet e diellit. Melanoma malinje është një lloj kanceri lëkure që mund të përhapet në organet e tjera të trupit. Shenja më e zakonshme është shfaqja e një nishani të ri ose ndryshimi i një nishani ekzistent.
Çdo vit në qytetin e Durrësit kryhen rreth 10 mijë vizita mjeksore dermatologjike, ndërsa pacientet që paraqiten me shqetësimet e melanomës apo të nishaneve nuk i kalojnë 20 raste në muaj. Sipas mjekut Myshketa, aktualisht në Durrës po trajtohen me kimioterapi dhe terapi rrezatimi 14 raste të sëmurësh me melanomë./ ATSH















