Mehmet Elezi
1.
Ç’do të thotë diasporë? Me këtë fjalë politikanët dhe media te ne kanë parasysh bashkatdhetarët e mërguar, që jetojnë në vende jashtë Shqipërisë (përkatësisht jashtë Kosovës, Maqedonisë…).
Kur është kështu, pse nuk thonë mërgatë?
Para Luftës së Dytë thuhej kurbetçinjtë/ kurbetlinjtë, fjalë e huazuar prej turqishtes. Më pas nisi me u përdorë togfjalëshi emigracioni shqiptar ose thjesht emigracioni. Në letërsi përdoret metafora gjaku i shprishur. Diasporë ka hyrë vonë, vetëm në gjuhën zyrtare. Kuvendi i diasporës, ministri i diasporës, drejtoria e diasporës. Gjuha e përditshme s’e ka pranuar.
2.
S’e kam parë të shkruar, por dikush që e ka dëgjuar shumë herë Ibrahim Rugovën më ka thënë se Rugova thoshte mërgatë dhe jo diasporë. Dhe e këshillonte këtë përdorim. Sado i përvëluar me qenë pas fjalëve të huaja, këshilla e tij është vështirë të kundërshtohet me argumente historike dhe gjuhësore. Në të kundërt, këto argumente e mbështesin plotësisht.
Mërgatë dhe mërgim në gjuhën shqipe janë fjalë të reja. Ndërsa folja me mërgue, prej së cilës vijnë, është e hershme. Sipas studiuesve, me mërgue vjen prej latinishtes mergere, që do të thotë me kredhë, me zhytë. Në shqip është përshtatur në kuptimin që dimë.
Fjalët me gurrë latine praktikisht trajtohen si fjalë të mirëfillta shqipe. Për shkak të vjetërsisë së përdorimit dhe përshtatjes në shqip. Folja me mërgue ka pjellë emrat mërgim, mërgimtar, mërgatë, mbiemrin i mërguar, që përdoret edhe si emër. Ka prodhuar emra njerëzish. Mërgim e Mërgime i ndeshim jo fort rrallë, kryesisht te fëmijë të lindur jashtë atdheut. Te këta emra nyjëtohet drama e emigrimit.
3.
Diasporë, fjalë e huajtur prej greqishtes, ka hyrë në disa gjuhë. Fillimisht në literaturën fetare, për të shprehur shpërndarjen nëpër botë të hebrenjve të mërguar prej vendit të vet. Pastaj është përhapur. Në frengjisht, për shembull, për herë të parë datohet më 1909. Sipas fjalorit Petit Robert 1, ka kuptimin shpërndarje, hallakatje e një etnie.
Në shqip, sipas Fjalorit të Gjuhës Shqipe 2006, vepër e akademisë, diasporë do të thotë “shpërngulje e një grupi të një etnie a të një kombi dhe vendosja në një vend tjetër për të jetuar e për të punuar”. Dhe po ashtu “ngulmim i një grupi të një etnie a të një kombi në një vend tjetër”.
Ndërsa folja me mërgue, sipas të njëjtit fjalor të akademisë, ka dy kuptime kryesore (ka edhe të tjera të figurshme). I pari, “detyroj dikë të ikë nga atdheu”; i dyti “largohem nga atdheu për shkaqe të ndryshme, emigroj”.
Vështirë të themi se ajo që quhet diasporë shqiptare është krijuar nga shpërngulja në grup, siç ka ndodhur me hebrenjtë. Diaspora shqiptare, me ndonjë përjashtim, është krijuar duke lënë atdheun dikush sot e dikush nesër, për shkaqe politike një pjesë, shumica për shkaqe ekonomike, për një jetë më të mirë.
Duke qenë kështu, fjala që i shkon për shtat asaj që quhet diaspora shqiptare, do të ishte mërgata shqiptare. S’kemi diasporë, kemi njerëz të mërguar, kemi mërgatë. Kjo mërgatë po rritet me ritme tronditëse. Numri i shqiptarëve azilkërkues në Europë vjen menjëherë pas sirianëve! I detyron gjendja në vend, zhgënjimi, shpresëhumbja. Shqipëria e këtyre viteve afron pak mundësi, pak perspektivë. Ndaj zgjedhin me ikë, me ikë, si rrallëherë në histori, si asnjëherë qysh nga rënia e diktaturës.
Vetë njerëzit e mërguar nuk e ndiejnë e nuk e quajnë veten diasporë, një fjalë e ftohtë librash, e paintegruar në gjuhën e popullit. Thonë ne mërgimtarët, mërgata e këtushme.
Pse gjuha zyrtare ngulmon me i quejte diasporë?























