Prokuroria e Përgjithshme dyshon se dhurimi i ish-hotel “Vollga” për Emiljano Shullazin nga shoqëria “Brothers Commercial Company” sh.p.k., mund të jetë bërë në mënyrë të paligjshme dhe përmes shantazhit.
Transferimi ka ndodhur në vitin 2014 për një truall prej 2.498 metra katrorë panë kullës Veneciane në Durrës, e cila përveç kompanisë saudite ka edhe bashkëpronarë shqiptarë.
Prokuroria ka dyshime se këta individë nuk kanë pasur të ardhura të mjaftueshme për të bërë këtë blerje, ndaj ka nisur verifikimi për burimin e këtyre të ardhurave. Gjithashtu, po kryen verifikime dhe për shtetasin arab, i cili i ka dhuruar pjesën e tij të pasurisë Shullazit.
Në këtë kontratë dhurimi për Shullazin, thuhet se kompania “Saudi Brothers Company”, sipërfaqen prej 749 metrash katrorë ia dhuron pa asnjë kusht dhe në shenjë mirënjohjeje shtetasit Emiljano Shullazi.
Sipas burimeve të prokurorisë, pritet të merret edhe dëshmia e ortakut të kompanisë që ka dhuruar hotelin për të verifikuar, nëse ai e ka blerë këtë me dëshirë apo ka qenë i kërcënuar.
Pikërisht për akuzën e përfitimit të pasurisë së paluajtshme, por edhe për disa raste të tjera kërcënimi në Tiranë, Shullazi, së bashku me miqtë e tij, Gilmando Dani dhe Blerim Shullazi (i afërm i tij), do të dalë nesër para Gjykatës së Tiranës për dhënien e masës së sigurisë.shqip