Sulmi barbar i datës 10 shtator ndaj biznesmenit amerikano-libanez Fadi Mitri ka sjellë tërheqjen nga të gjitha investimet në Shqipëri të kompanisë “OMNIX Albania”. Përfaqësuesi zyrtar i kompanisë, njoftoi sot largimin nga kompleksi turistik në Gjirin e Lalzit.
“Ky akt i rëndë kriminal ia ka dalë që të rrënojë përpjekjet e OMNIX Albania përgjatë këtyre viteve të fundit për ndërtimin e një kompleksi turistik prej 450 milionë USD në Gjirin e Lalëzit.
Ky projekt turistik konsistonte në ndërtimin e hoteli me 5 yje, 370 dhoma me të gjithë elementet e tjerë të një standardi më të lartë, ambiente për shitje dhe dhënie me qira, park ujor, dyqane, bulevard, bare, restorante, etj.” – thuhet në reagimin zyrtar të OMNIX.
Ky projekt gjigant do të hapte rreth 1200 vende pune deri në vitin 2018, si dhe do t’i jepte Shqipërisë pamjen e një vendi si destinacion turistik numër 1 në Adriatik dhe Ballkan, është shprehur përfaqësuesi zyrtar i kompanisë. Me këtë investim, OMNIX Albania do të kontribuonte direkt në rritjen ekonomike të Shqipërisë”.
Si konkluzion OMNIX Albania dënon ashpër këtë ngjarje të rëndë kriminale, e cila sjell indinjatë për çdo shqiptar. Duke filluar nga sot, OMNIX Albania tërhiqet nga çdo investim në Republikën e Shqipërisë. “Falënderojmë qeverinë e Shqipërisë për kujdesin ndaj familjes së zotit Fadi Mitri në këtë moment të vështirë për ta”,- referohet më tej në deklaratën zyrtare të largimit.
Përpjekjet e OMNIX për të investuar në Shqipëri në zonën e Gjirit të Lalëzit kanë nisur 8 vite më parë. Por vetëm në vitin 2013, kompania mundi të marrë lejen nga Këshilli i Rregullimit të Territorit për zhvillimin e investimit. Por me rrotacionin politik të 2013-s, projekti u ngri. Vetëm tani, muajt e fundit qeveria Rama vendosi të hapë dritën jeshile për projektin, duke miratuar edhe shpyllëzimin e zonës ku do të ndërtohej resorti.























