Gazeta Shqip ka mësuar detaje tronditëse nga ngjarja e ndodhur në Maternitetin e Pogradecit, ku policia nisi hetimin ndaj mjekjes që dyshohet se neglizhoi në trajtim një fëmijë të porsalindur, që më pas ndërroi jetë në Tiranë.
Burime për Shqip tregojnë se foshnja lindi 24-javëshe në maternitet, por u shënua si abort. Thuhet se stafi e konsideroi të vdekur pasi nuk u dëgjua që foshnja të qante, e më pas e futën në një kuti.
Megjithatë familjarët nuk janë pajtuar me diçka të tillë duke insistuar të shihnin fëmijën, që më pas e kanë dëgjuar të qajë në dhomën ku e kishin vendosur. Me ta marrë, familjarët e kanë nisur me urgjencë në Tiranë, por foshnja nuk mundi të mbijetojë.
Ka qenë i ati i foshnjes që e ka denoncuar ngjarjen në polici. Policia ka nisur hetimin ndaj mjekes Genta Shyta. Kjo e fundit e ka konsideruar “mrekulli” rizgjimin e bebes të cilën pranoi se e kishte shënuar abort.



















