Bajram Zylfiu, dëshmitar i masakrës së kryer nga serbet në fshatin Krushë e Vogël, në vitin 1999, e ka vazhduar paraqitjen e dëshmisë në procesin gjyqsësor ndaj të akuzuarit për krime lufte, Darko Tasiq.
Zylfiu ka rrëfyer në mënyrë të detajuar për masakrën që kryen forcat serbe ndaj civilëve shqiptarë në këtë fshat.
Duke iu përgjigjur pyetjeve të avokatit Dejan Vasiq, i cili po e mbron të pandehurin Tasiq, Zylfiu ka dhënë detaje të reja për tmerrin e përjetuar më 25, 26 dhe 27 mars 1999.
Dëshmitari ka rrëfyer sërish rreth rastit kur në një shtëpi forcat serbe i kishin mbyllur 109 burra, në mesin e të cilëve kishte qenë edhe ai (Zylfiu), para se të fillonin t’i pushkatonin dhe pas vrasjes u kishin hedhur sipër një lëng të djegshëm për t’ua vënë flakën më pas në mënyrë që të digjeshin kufomat.
Bajram Zylfiu është njëri prej pak personave që e kishin mbijetuar këtë masakër.
“Prej 109 burrave sa ishim të mbyllur në atë shtëpi ku ka ndodhur masakra, pasi që jemi larguar dhe gjatë ikjes janë vrarë edhe disa të tjerë. Në përfundim kemi mbetur vetëm 6 persona të gjallë”, ka thënë ai.
Duke folur për shtëpinë ku kishte ndodhur masakra, dëshmitari Zylfiu ka treguar se pasi ishte kthyer nga Shqipëria kishte shkuar te ajo shtëpi, por ajo rrënuar dhe mbetjet e saj ishin bartur me eskavatorë dhe ishin hedhur në shtartin e lumit Drini i Bardhë.
























