Portali “Kossev” në veri të Mitrovicës ka përcjellë disa nga vendimet që janë marrë në takimin e fundit, e që janë pajtuar të tri palët në procesin e bisedimeve në Bruksel, BE-ja, Prishtina dhe Beogradi.
Sipas marrëveshjeve të arritura, të dielën më 14 gusht do të fillojë procesi i të ashtuquajturit rivitalizim i urës kryesore mbi lumin Ibër. Pas përfundimit të punëve të ristrukturimit, ura do të jetë krejtësisht e hapur më 20 janar 2017. Ky është afati më i ri që kanë caktuar ekipet negociatore. Gjithashtu me fillimin e rivitalizimit të urës do të fillojë gjithashtu edhe rivitalizimi i rrugës kryesore të Mitrovicës së veriut.
Rruga kryesore në veri të Mitrovicës “Mbreti Peter I”, e cila fillon nga ura kryesore e Ibrit, do të shndërrohet në zonë për këmbësorë, ndërkohë që në dy anët e urës në drejtim të “Lagjes së Boshnjakëve”, “Tre soliterëve” dhe të Suhadollit do të ndërtohen rrethrrotullime. Këto janë detaje të reja që kanë dalë nga takimi i fundit i delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë në Bruksel.






















