Deputeti i kohës kur u mbajt referendumi për “Iliridën” në vitin 1992, Ismet Ramadani ka vlerësuar se ky akt duhet ta alarmojë politikën aktuale që të ulet dhe ti diskutojë këto çështje, ndërsa ish deputeti Naser Zyberi vlerëson se akti i fundit e devalvon aktin e atëhershëm.
Akti i shpalljes së “Republikës së Iliridës” ka ngjall reagime të ndryshme në opinion. Në përshtypje të parë ky akt është cilësuar si diçka jo serioze. Madje është cilësuar si veprim jo vizionar që shkon në dëm të çështjes shqiptare në Maqedoni.
Megjithatë deputeti i kohës kur u mbajt referendumi për “Iliridën” në vitin 1992, Ismet Ramadani ka vlerësuar se ky akt duhet ta alarmojë politikën aktuale që të ulet dhe ti diskutojë këto çështje. Ai konsideron se sot më shumë se kurrë është e nevojshme që shqiptarët me maqedonasit të dialogojnë për ridefinimin e pozitës së shqiptarëve në Maqedoni.
“Mendojë që është alternativë që nuk parasheh dhunë, përdorim të forcës – për ti shfaqur idetë dhe propozimet. Është qëndrim i një grupacioni që e arsyetojnë qëndrimin e tyre. Përndryshe, në rrethana në këtilla, duhet të ulen liderët dhe të bisedojnë. Gjitha format dhe modelet duhet ti rregullojnë ekspertët, me qëllim që të ndihmojnë në aspektin e avancimit të pozicionit të shqiptarëve. Është i nevojshëm një dialog i mirëfilltë, ku duhet të përfshihet edhe pala maqedonase. Derisa të ketë dialog fitojmë të gjithë. Këtu politika e ka fjalën e parë dhe të fundit” ka thënë për “Lajm” Ismet Ramadani.
Ndërsa ish deputeti Naser Zyberi ka bërë një krahasim ndërmjet aktit të Iliridës më 1992 dhe asaj të shpallur para dy dite. Sipas tij, akti i shpalljes së Republikës së Iliridës më vitin 1992 ka qenë akt sublim që ka shprehur pikëpamjet politike të shqiptarëve në një kohë mjaft të vështirë, në kohën kur kishte filluar rrënimi i Jugosllavisë. Por, me kalimin e kohës rrethanat kanë ndryshuar, vizionet kanë ndryshuar, …kjo mbeti status quo dhe u harrua.
“Akti i fundit e devalvon aktin e atëhershëm. Ky grupacion i caktuar nuk gëzon mbështetje serioze. Nëse ideja është që me këtë akt të ridefinohet statusi duhet një debat më i gjerë duke përfshirë edhe faktorët e brendshëm , por pse jo edhe faktorë ndërkombëtarë. Në mënyrë që të vijë një akt më serioz, sepse në këtë mënyrë vetëm dëmtohet çështja”, është shprehur për “Lajm” Zyberi.
Çështja tjetër, supozon ai, autorët janë motivuar nga ngjarjet që po vijnë nga jashtë, si Skocia; megjithatë, këtyre rasteve iu prijnë struktura relevante. “Në këtë mënyrë si është bërë shpallja e “Republikës së Iliridës” nuk është diçka serioze”, vlerëson Naser Zyberi.















