EJUP BERISHA
Në këtë shkrim dua të bëj një dialog të vështirë me Demokracinë dhe të llafosem pak më ashpër, apo me fjalorin popullor të përlahem me të, sepse atëherë kur insistonte të instalohej në rajon por edhe në vendin tim para më shumë se 23 vitesh na pati dhënë shum premtime të bukura dhe joshëse por më vonë ajo çuditërisht u zmbraps apo u tërhoq nga ideja e saj bazike. Dua ta ftoj në një kafe dhe ta pyes se Pse nuk po zbatohet?.
Apo pse nuk po i zbaton parimet e saja në shoqëritë dhe shtetet tona, ashtu siç u mundua të promovohej atë kohë kur ne vendosëm ti pastronim llogaritë me ish sistemin diktatorial-autoritar-komunisto-socialist dhe ta zëvendësojmë atë sistem të keq e të padurueshëm me një sistem më të mirë më të butë dhe më përparues, dhe me pak hamendje vendosëm që demokracisë t’ia japim një mundësi që të qeverisë.
JO, JO! Më falni jo të qeverisë por më shumë të na udhëheq sepse qeverisja më shumë është e afërt me sistemet që e mohojnë vet demokracinë. Dua direkt ta pyes seku qëndron shkaku kryesor për këtë zhgënjim që na e solli në vend të shpresës që kishim për të se do të na e mundësojë të paktën një jetë më të durueshme dhe më të mirë. Kanë kaluar më shum se dy dekada dhe un do të mundohem ti sqaroj Demokracisë se jemi të zhgënjyer dhe të dëshpëruar prej saj apo prej premtimeve të kota dhe fryteve që nuk arritën dot ti shijojmë. Gjithashtu dua t’ia bëj me dije se jemi shumë të zhgënjyer edhe nga realiteti në të cilin po jetojmë dhe nga kushtet që na janë ofruar dhe po na ofrohen.
Në Demokracinë jemi shumë të hidhëruar sepse na kujtohet shumë mirë kur na pati thënë se: Më pranoni në gjirin tuaj dhe un do të bëj mrekulli për ju. Tash nga kjo distancë kohore e shohim se nga shkronja D Lirisht mund ti themi se askund nuk i shohim mrekullitë e premtuara, por vetëm mbrapësirat, marrëzirat, mashtrimet dhe manipulimet që janë bërë dhe po bëhen çdo ditë me ne. Atëherë kur ne u ulëm dhe bëmë marrëveshjen historike-shoqërore me demokracinë donim që punët ti fillonim përveç se me shkronjën M gjithashtu edhe me shkronjën P, që shoqëria të ecë mbarë dhe duke lëvizur përpara ne të kemi përparim në paqëpor edhe zhvillim. Ti Demokraci nuk e përmbushe asnjë premtim të paktën në mesin e shum premtimeve që na i pate dhënë. A të kujtohet kur pate thënë se nëse më lejoni që un të bëhem kultivues i sistemit të vlerave tuaja shoqërore të gjithëve do tu bej të lumtur duke u dhënë gjasa të njëjta që ti ndjeni leverditë e funksionimit të sistemit tim.
Demokracinë do ta përkujtoj se në vargun e premtimeve të shumta që na i pati dhënë ajo pati përmendur se do të na siguron më shumë Liri dhe Barazi prandaj ne me plot bindje pozitive dhe shpresë i them “ok”, por vetëm a do të jesh e sinqertë me ne. Disi si me mburrje dhe krenari na pate thënë, ju vetëm dakordohuni që un të udhëheq me shoqëritë dhe shtetet tuaja dhe do të bindeni se un po ua them të vërtetën absolute. E dashura Demokraci tash kur un jam ulur të bëj bilancin e premtimeve dhe realizimeve nga premtimet e tua të mëdha dhe ambicioze e shoh se nuk paske qenë aspak e sinqertë me ne. Me të vërtetë na dhe shumë premtime por pamë shumë pak realizime.
Turp të kesh 23 vite pas instalimit tënd ne nuk jemi as të lirë e as të barabartë. Po këtu në shoqëritë dhe shtetet Ballkanike kemi dy lloje barazish, lloji i parë është se kemi njerëz të barabartë në mesin e të barabartëve me më shumë mundësi dhe përfitime që i kanë arritur falë atij diskursi mashtrues që na e solle dhe na e imponove kur të pranuam ty në gjirin tonë. Dhe lloji tjetër i barazisë është ai i të barabartëve në diskriminim dhe mohim të të drejtave dhe lirive fundamentale njerëzore. Barazi e njerëzve të ballafaquar me shumë pengesa në përparim apo pa asnjë mundësi përparimi. Këtu hallall të qoftë na mashtrove mirë me një mjeshtëri të rrallë ndërsa ne të pranuam dhe ti hapëm të gjitha dyert dhe ti në shenjë “falënderimi” na shpërbleve me një robëri të llojit të ri që i thonë Robërim i vetes me vetvullnet. Kjo ka ndodhur duke i instaluar zgjedhjet.
Kështu ne dalim e i zgjedhim politikanët në zgjedhje e dashura Demokraci dhe ata në vend që të na e mundësojnë lirinë dita ditës na e kufizojnë të njëjtën dhe atë në emrin e parimeve tua. Këtë ndoshta e bëjmë pak me naivitetin tonë por më shumë duke i besuar fjalorit tënd të ëmbël i cili dita-ditës po na del më i hidhur. Nuk e di pse të besuam aq shumë edhe pse kokat më të mëdha të inteligjencës botërore qysh më herët na e kanë tërhequr vërejtjen se gjithçka nuk do të jetë në rregull me ty.
Demokraci tash po e kuptojmë se ata paskan pasur plotësisht të drejtë. Pra tash e kemi të qartë se me ty gati asgjë nuk është në rregull. Thash më parë se ne mirë i njohim premtimet e tua por askund nuk po i shohim realizimet. Nëse ti nuk na i jep përgjigjet në këto pyetje ndërsa ke përgjegjësi direkte atëherë trego se kush duhet të na shpjegoj se pse ngecë zbatimi i mirëfilltë i parimeve tua në një shtet që funksionon dhe i përket shekullit 21 dhe ka pretendime të bëhet pjesë e familjes Demokratike Europjane.
Lexues të nderuar do të më pyetni se Pse e kritikoj demokracinë. Do tu përgjigjem se atë e kritikoj sepse me të vërtetë e shoh dhe e ndjej se diçka nuk është në rregull me të, por edhe për faktin se ajo i pranon më lehtë kritikat të paktën ashtu na pati thënë atëherë, çfarë pati thënë se mund lirisht ta kritikojmë nëse e vërejmë që diçka nuk është në rregull me të. Me këto kritika dhe qortime dua që ta ve ne sprove demokracinë sepse mendoj dhe besoj se duke e kritikuar realitetin e saj ajo do të na kuptoj përfundimisht më mirë Dhe besoj se sa më shumë kritikohet dhe sa me shumë qe ajo i duron kritikat aq me e mire do të behet e njëjta.















