Në një situatë të tillë zgjidhja më e mirë po vlerësohet të jetë rinegocimi i tërësishëm i marrëveshjes.
Një vlerësim të tillë e jep profesori i gjeografisë dhe deputeti i LDK-së, Shpetim Bullqi.
Ai për lajmi.net ka thënë se kjo zgjidhje është më e mira për faktin se edhe Mali i Zi ka shprehur gatishmëri për rinegocim.
“Praktikisht zgjidha më e mirë do të ishte rinegocimi i marrëveshjes, për faktin se ne nuk kemi diçka kontestuese nga ana e Malit të Zi, e cila edhe më herët është deklaruar se janë të gatshëm ta rishikojnë punën e demarkacionit”, ka thënë Bulliqi.
Përveç rinegocimit për të zgjidhur problemin e shënjimit të vijës kufitare me Malin e Zi, si mundësi është përmendur edhe dërgimi në Gjykatën e Arbitrazhit. Por për Bulliqin i cili së bashku me ekspert të tjerë kanë kundërshtuar versionin aktual të demarkacionit, arbitrazhi do të ishte i nevojshëm sikur nga ana e Malit të Zi të kishte paraqitur ndonjë problem.
“Arbitrazhi do të ishte i nevojshëm sikur të kishte paraqit problem pala malazeze. Atëherë mënyrë më e mirë dot ishte që të rinegociohet kjo çështje të mënjanohet ato lëshime nga Komisioni Shtetëror dhe të miratohet dhe të ecim tutje”, ka thënë Bulliqi.
Qeveria e Kosovës më 1 shtator kishte tërhequr projektligjin e demarkacionit me Mali e Zi nga rendi i ditës se Kuvendit.
Pas kësaj date zyrtarë qeveritarë kishin deklaruar se shumë shpejt do të ndodh riprocedimi, por deri më tani një gjë e tillë nuk ka ndodhur. Tash pas largimit të Listës Serbe çështja e demarkacionit është komplikuar edhe më shumë.























