Veprimtari Adem Demaçi mendon se Evropa i ka toleruar së tepërmi politikat serbe, prandaj sot prodhohen lajme si ato mbi Lumin Ibër.
Ai thotë se vendosja e barrikadës mbi Urën e Ibrit është vazhdim i politikave serbe, të cilat, sipas tij, nuk janë të interesuara të krijojnë një klimë të paqes dhe qetësimit të situatës në Kosovë.
Menjëherë pas largimit të barrikadës që simbolizonte ndarjen e qytetit të Mitrovicës, qytetarët serbë nga veriu për dy ditë me radhë kanë punuar në ngritjen e një pengese tjetër të quajtur si “Parku i Paqes”.
“Kjo tregon se politika serbe nuk është e sinqertë aspak. Kjo tregon, gjithashtu, edhe një gabim trashanik që po e bën kjo nëna jonë e madhe, Evropa, me këto lëshimet e pafundme që po i bëhen Serbisë. Ata janë lazdruar dhe po luajnë majtap edhe me Evropën, edhe me Amerikën, edhe me krejt Botën”, thotë ai. “Sigurisht që kjo ka për të krijuar, dhe ka krijuar, tensione tek shqiptarët, por edhe tek serbët, të cilët gjithashtu janë lodhur më me këto politika rreth Kosovës, si ata të Serbisë, si këta tjerët në Kosovë”.
Sipas tij, në Beograd dhe në Kosovë janë krijuar klikat çetnike të cilat nuk janë të interesuar për zgjidhje dhe qetësim definitiv të situatës në Kosovë. Demaçi thotë se Evropa duhet ta dijë me kë ka punë.
“Gabimin fillestar këtu e ka pasur Franca. Ishte ajo që në pikë të ditës lejoi që shqiptarët të dëboheshin nga trojet e tyre. Së pari herë në histori, që nga koha e otomanëve e deri sot, u krijua një pjesë e Kosovës ku paska njëfarë shumice serbe”.
Demaçi shprehet se zhvillimet e fundit në Mitrovicë, me barrikadat që po tensionojnë situatën atje, do të jenë një mësim për Evropën.
“Me ta duhet të bisedohet ndryshe dhe të veprohet ndryshe. Është koha e fundit ta kuptojnë se faktorizimi i shqiptarëve është shpëtimi dhe krijimi i shtyllës kryesore të rëndësishme për një paqe të qëndrueshme dhe të fortë këtu në këtë Ballkanin Perëndimor. Ka ardhur koha që këtë ta kuptojë Evropa. Unë besoj se kjo është koha e fundit dhe ky është krimi i fundit i çetnikëve të Beogradit”, thotë Demaçi. “Evropa duhet t’ua njohë shqiptarëve te drejtat që u takojnë dhe t’u jepet mundësia shqiptarëve që të jenë të zotët e vetvetes”.