Posta e Kosovës ka lëshuar në qarkullim pullën postare që i kushtohet njërës prej luftëtareve më të shquara shqiptare, Tringë Smajli, e njohur në popull edhe si Tringa e Grudës apo Tringa e Maleve.
Tringa u lind në vitin 1870, në Grudë, në periudhën e rëndësishme të përpjekjeve të shqiptarëve për të ruajtur trojet etnike. Ajo ishte vajza e bajraktarit famëmadh Smajl Martini (Ivezaj), i cili humbi dy djemtë e tij, Zef e Gjon Smajli në vitin 1883, me ç’rast Tringa mori vendim të armatosej e t’i bashkohet luftës.
Ajo veshi çakçirët e xhamadanin, ngjeshi alltinë e rripin me fishekë, ndërkaq në krah vuri armën dhe mori pjesë në kuvende e luftëra. Urtia e trimëria e saj në luftën për marrjen e Majës së Deçiqit frymëzoi poetin e atdhetarin Gjergj Fishta, i cili shkruan: “Tringa ja kalonte çdo mashkulli më të mirë në Urti e në Trimni”.
Për aktivitetin e saj patriotik kanë shkruar edhe gazeta prestigjioze perëndimore. Tringë Smajli, përpos flijimit personal, shkriu tërë pasurinë familjare për hapje të shkollave shqipe.















