Deputeti socialist Taulant Balla, në lidhje me dekriminalizimin e politikës ka kërkuar që opozita të paraqesë propozimet brënda tremuajve të parë të vitit të ardhshëm.
Mazhoranca është e gatshme që brënda tre muajve të parë të 2015, të marrë në shqyrtim dhe të miratojë propozimet e opozitës në lidhje me dekriminalizimin e politikës.
Sipas tij, i vetmi kusht i mazhorancës është që propozimi që do të bëhet nga pala tjetër, të jetë në përputhje me Kushtetutën dhe të konsultohet me Komisionin e Venecias.
“Ne e kemi shprehur si mazhorancë që jemi të gatshëm të presim çdo propozim të opozitës. Madje brenda 3 muajve të parë të vitit 2015 Kuvendi është i gatshëm të marrë në shqyrtim propozimin për dekriminalizimin.
Ne jemi të pritje të propozimit, pasi kjo është një kërkesë e bërë nga Partia Demokratike dhe ne duhet të respektojmë këtë të drejtë të saj.
I vetmi kusht që ne kemi është që propozimi të bëhet në përputhje me Kushtetutën dhe të jetë në konsultim me Komisionin e Venecias. Përsa i takon kërkesave të tjera të opozitës, ato janë plotësuar, pasi rregullorja e Kuvendit u ndryshua sipas propozimit të bërë nga një koleg i opozitës. Komisionet Hetimore janë ngritur dhe ne presim që opozita t’i vërë në funksion, vendimet e Gjykatës Kushtetuese janë zbatuar dhe do të zbatohen”, u shpreh Balla.
















