Nga propozimi e deri te seanca e zgjedhjes së Hashim Thaçit për president të Kosovës, tri partitë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe Nisma për Kosovën ishin më se të vendosura që mos të lejonin një gjë të tillë.
Në seancën për president, ku shumica e deputetëve të opozitës u përjashtuan për hedhje të gazit lotsjellës, i vetmi deputet që qëndroi në të ishte ai i Vetëvendosjes, Ilir Deda.
Deputeti Deda ka thënë për Indeksonline se zgjedhja e Hashim Thaçit në krye të Kosovës vetëm sa e ka thelluar edhe më shumë krizën politike në Kosovë.
“Është për keqardhje të thellë që Kuvendi i Kosovës – me diktat – vendosi të përfshihet në thellim të krizës politike. Natyrisht që ka rrugëdalje, e kjo është shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme si dhe një sërë hapash politik që duhet të shmangin në të ardhmen kriza të tilla politike”, ka thënë Deda.
Ai ka vlerësuar se zgjedhja e Thaçit president do të kontestohet në Gjykatën Kushtetuese të Kosovës, pasi që, siç ka thënë ai, Kosova ka në krye një njeri jounifikues.
“Mendoj se zgjedhja e Thaçit do të kontestohet në Gjykatë Kushtetuese. Të shohim se si do të shkoj ky kontestim dhe çfarë pasojash politike do të prodhojë. Megjithatë, është e qarte se në krye te shtetit e kemi njeriun më jounifikues dhe përçarës në politikën e Kosovës. Sa i përket arenës ndërkombëtare po e shohin të gjithë që Thaçit nuk po ja urojnë zgjedhjen, ndërsa raportimet e mediave ndërkombëtare për te vetëm sa e rëndojnë imazhin Kosovës”, ka theksuar Deda.
I pyetur se cila do të ishte rrugëdalja nga kriza politike, në të cilën ndodhet Kosova tash e disa muaj, ai ka thënë se zgjidhja e problemeve politike me marrëveshje politike është mënyra si zgjidhen problemet në shekullin e 21 në kontinentin në të cilin jetojmë dhe në vendet e tjera të zhvilluara.
“E në Kosovë kjo duhet të jetë shpallja e zgjedhjeve të jashtëzakonshme dhe një sërë hapash politik që do të jenë mësime për të ardhmen dhe mospërsëritjen e krizave të tilla në Kosovë”, ka thënë tutje Deda.
Duke folur për furnizimin me bukë dhe benzinë qytetarëve vetëm që të marrin pjesë në protesta dhe organizime të opozitës, ai ka thënë se ndonëse nuk merret me organizimin e protestave, një informacion nuk është aspak i vërtet.














