Trajneri i Kombëtares shqiptare, Xhani De Biazi, gjatë konferencës së djeshme për shtyp, e para për ndeshjet e këtij muaji, ka theksuar rëndësinë që merr rrugëtimi kuqezi në këtë fazë të kualifikimeve. Sipas italianit duhet me patjetër që Shqipëria të synojë pikë të plota në të dyja ndeshjet për të mbajtur të gjallë ëndrrën e një kualifikimi të mundshëm në botëror. De Biazi ka bërë një analizë edhe të listës me 28 lojtarë që ka grumbulluar në këto dy ndeshje, si dhe është ndalur edhe tek emra të përveçëm si: Mërgim Mavraj, i dëmtuar dhe një mungesë që peshon sipas italianit, Erjon Bogdani, i mbetur gjatë kësaj kohe pa skuadër, ashtu sikundër edhe Armando Sadiku, i cili nuk luan një ndeshje zyrtare me klubin e tij Lugano që nga sezoni i shkuar, pavarësisht se në Zvicër është luajtur këtë fundjavë java e 7-të e kampionatit. Në fund De Biazi ka folur edhe për rinovimin e kontratës me Federatën Shqiptare të Futbollit.
Çfarë presim nga dy ndeshjet e radhës së Kombëtares si në aspektin lojë, por më së shumti në atë të pikëve?
Ne jemi tashmë një skuadër e konsoliduar, që kemi treguar një lloj vijueshmërie si në aspektin e lojës dhe të rezultateve ndaj do kërkojmë maksimumin edhe në këto dy ndeshje. Kam dëgjuar shpesh gjatë kësaj kohe që kur vijnë ndeshjet e shtatorit, pra në fund të edicionit, Kombëtarja fillin dhe zbehet, duke mos arritur dot të marrë pikët që i nevojiten. Unë them se me këtë skuadër s’do ndodhë kjo gjë.
Do të thotë që si ndaj Sllovenisë dhe ndaj Islandës do luajmë për pikë të plota?
Po, e rëndësishme është të arrijmë dy rezultate pozitive. Nëse arrijmë dy fitore apo barazime pak rëndësi ka. Duhet të lëmë pas kundërshtarët, por e kam thënë që unë nuk kënaqem me rezultat minimal, ndaj do luajmë për të marrë maksimumin. Skuadra ka treguar në ndeshjet e mëparshme dëshirën me të cilën kërkon të ndjekë ëndrrën për të arritur në botëror. Mendoj se çdo ndeshje ka historinë e vet dhe duhet përgatitur në mënyrën e duhur. Ne, Slloveninë e njohim mirë dhe kemi parë edhe ndeshjen e fundit ndaj Islandës. Ka skuadër të mirë por si çdo ekip ka pikët e forta dhe të dobëta. Duhet të jemi të aftë të shfrytëzojmë këtë të fundit.
Keni bërë një listë të gjatë prej 28 lojtarësh, pse kaq shumë?
Nuk janë asnjëherë shumë dhe asnjëherë mjaftueshëm. Në radhë të parë janë dy ndeshje dhe asgjë nuk i dihet: kartonë, dëmtime të mundshme, ndaj më mirë që të kesh lojtarë në dispozicion. Pastaj shto këtu edhe dy-tre lojtarë që për momentin nuk mund të luajnë ende pasi presin lejekalimin nga ana e FIFA-s.
Nuk keni grumbulluar as Bogdani dhe as Armando Sadikun, pse?
E thjesht: që të dy janë aktualisht pa skuadër. Unë kam një respekt të veçantë për Erjonin (Bogdanin) dhe e di fort mirë që ai i duhet skuadrës edhe se ka një personalitet dhe ndikon shumë te lojtarët e tjerë dhe në dhomat e zhveshjes, por aktualisht është pa skuadër ndaj edhe kam qenë disi i detyruar të bëjë zgjidhje të tjera. E njëjta gjë edhe për Armando Sadikun.
Mungon Mavraj, një problem për këto dy ndeshje, e keni menduar si ta zëvendësoni?
Zëvendësimi i tij nuk është një problem pasi ju siguroj që në skuadër ka lojtarë shumë të mirë që mund të luajnë në atë pozicion. Ju siguroj se cilido që do zgjedh të luajë në vend të Mavrajt, do ta bëjë aq mirë atë rol sa mungesa e Mërgimit nuk do të ndihet. Por përtej kësaj, mua si trajner por besoj edhe lojtarëve dhe juve si media e tifozëve, mungesa e një lojtari si Mërgim Mavraj peshon psikologjikisht. Ai në radhë të parë është një djalë i mrekullueshëm, inteligjent që di të lexojë shumë mirë lojën e skuadrës, që në të tilla ndeshje nuk di të kursehet aspak dhe që do dëshironte që të ishte me patjetër. Por, është i dëmtuar dhe nuk ka zgjedhje tjetër.
Në fakt janë disa dëmtime radhazi…
Po, nuk kemi qenë më shumë fat në këtë aspekt, pasi në momentin më të mirë na është dëmtuar për shembull Kukeli, Meha dhe tani Mavraj, por gjëra që ndodhin dhe nuk varen nga ne.
Nëse sot do kishit Loret Sadikun në dispozicion, në mungesë të Mavrajt do luante ai titullar?
Ndoshta. Nuk di të them me siguri, por nëse Sadiku do kishte pranuar që të vinte në Kombëtare që në ndeshjen me Armeninë dhe ne të kishim pasur mundësi edhe ta shikonim si lojtar dhe të përshpejtonim edhe me pajisjen e dokumentacionit të tij, ndoshta do luante edhe si titullar.
Po ai ka nënshtetësi shqiptare, çfarë problemi ka?
Po, por ka luajtur edhe me Suedinë U-21 më përpara dhe tani na duhet që të marrim leje nga FIFA, një procedurë disi e gjatë dhe burokratike, para se të luajë zyrtarisht me ne. Gjithsesi them se për ndeshjen me Zvicrën në tetor do të jetë në dispozicion duke uruar që t’i bëhet gati edhe dokumentacioni.
Si Sllovenia dhe Islanda kanë treguar se fitojnë jashtë por humbin në fushën e tyre, a mund të merret ky fakt si një plus për ekipin tonë, duke qenë se luajmë në transfertë?
Unë e kam thënë edhe më përpara se grupi ynë është shumë i ekuilibruar. Hiq Zvicrën, e cila ka shkuar disa pikë para, ka një skuadër më të konsoliduar dhe një trajner me të cilën po punon prej disa vitesh, ekipet e tjera janë pak a shumë të një niveli. Në këtë këndvështrim, nëse ti përgatit shumë mirë ndeshjen, nuk bën gafa në aspektin mbrojtës dhe shfrytëzon në maksimum rastet që krijon në sulm, atëherë mund të fitosh sikundër mund të humbësh me të gjitha skuadrat. Janë ndeshje, rivalë që ndahen nga njëri-tjetri në fije të perit, ndaj duhet bërë shumë, shumë kujdes.
Ju shqetëson fakti se shumë lojtarë të kombëtares këtë verë kanë qenë në merkato dhe disi të shqetësuar dhe në ankth për të ardhmen e tyre?
Jo absolutisht jo, pasi të gjithë lojtarët kur vijnë në Kombëtare lënë pas ndonjë problematikë që mund të kenë pasur në klubet e tyre. Kur vishte fanella e Kombëtares ndjesia është tejet e ndryshme dhe të gjithë ata që vijnë në këtë skuadër e dinë mirë se sa e rëndësishme është aktivizimi dhe zhvillimi i një loje sa më të mirë. Sakaq, me sa kam informacion, që të gjithë lojtarët që kam grumbulluar nuk kanë asnjë problem merkatoje, pasi që të gjithë atë që kanë qenë duke ndryshuar skuadër, e kanë zgjidhur tashmë këtë problem.
Tani kemi dy portierë të Kombëtares që luajnë në Itali, por që të dy do jenë rezerva, pra jo titullarë, a ju shqetëson kjo gjë?
Në radhë të parë fakti që Etrit Berisha po shkon në Itali te Lacio për mua është një lajm shumë i mirë. Etriti është një djalë i mrekullueshëm dhe një portier me një talent të lindur. Është një natyrë e egër dhe kërkues ndaj them se aty do bëjë rrugë të gjatë. Ai ka realisht talent, por i duhej një shkollë trajnimi dhe te Lacio kjo gjë nuk do ti mungojë pasi aty ka trajnerë shumë të mirë portierësh.
Dakord, por do jetë rezervë…
Po, në fillim po, pasi aty luan Marketi, i cili për mua është portieri më i mirë në Itali pas Bufonit dhe që së shpejti, në momentin kur ky i fundit do t’i thotë lamtumirë Kombëtares do jetë pikërisht Marketi që do ta zëvendësojë, por gjithsesi nuk i dihet sesi shkojnë punët. Në janar mund edhe të largohet nga Lacio për një ofertë më të mirë dhe ja ku Berisha bëhet titullar. Megjithatë, duhet llogaritur edhe fakti që Lacio luan në tre kompeticione: kampionat, kupë dhe Ligë të Europës dhe besoj se në të paktën në njërën prej këtyre titullar do jetë Berisha. Kaq them se mjafton si fillim për një 24 vjeçar që vjen nga Suedia në Serie A.
Ç’bëhet me rinovimin e kontratës suaj, keni firmosur?
Jo ende, por kjo është një temë që nuk mund ta diskutojmë tani. Kemi përpara dy ndeshje shumë të rëndësishme dhe vetëm pasi të kemi përfunduar këto takime do ulem të flas me federatën për kontratën. Zëvendësimi i tij nuk është një problem pasi ju siguroj që në skuadër ka lojtarë shumë të mirë që mund të luajnë në atë pozicion. Ju siguroj se cilido që do zgjedh të luajë në vend të Mavrajt, do ta bëjë aq mirë atë rol sa mungesa e Mërgimit nuk do të ndihet. Por përtej kësaj, mua si trajner por besoj edhe lojtarëve dhe juve si media e tifozëve, mungesa e një lojtari si Mërgim Mavraj peshon psikologjikisht…















