Për herë të parë sivjet ndodhi që ende pa përfunduar një proces zgjedhor – zgjedhjet qendrore – të nis procesi tjetër i zgjedhjeve lokale.
“Në të kaluarën kemi organizuar së bashku zgjedhjet parlamentare dhe lokale, por kësaj radhe ka qenë një përvojë më ndryshe, pasi kemi kaluar nga një proces zgjedhor (zgjedhjet e parakohshme parlamentare të qershorit) në një proces tjetër zgjedhor (zgjedhjet lokale në vjeshtë). Sigurisht se ka qenë e mundimshme në aspektin organizativ, por sot jemi krenarë se po e përmbyllim këtë vit me sukses”, ka thënë ajo. “Pa dyshim se organizimi i zgjedhjeve është një nga proceset më të mëdha dhe gjithëpërfshirëse për një shtet, qoftë i madh apo i vogël, por mund të them se Kosova tashmë ka traditë të çmuar në këtë drejtim”.
















