Akciza e munguar
Kërkesa – Kontrolli për mallrat vendase të akcizës nuk ishte përfshirë në programin e Crown Agents, por iu kërkua asistencë nga qeveria
“Duty Free” – Sipas “Crown Agents”, vetëm në periudhën 1 janar – 12 mars 2015, peshkarexhat futën 2 milionë litra karburant “duty free”
Rafineria – 5,2 milionë euro u llogarit dëmi i shkaktuar në një muaj nga mospagimi i taksave për karburantin e fshehur në një depozitë në Fier
Kontrabanda e naftës nuk është si mosdhënia e kuponit apo mungesa e pullës fiskale, por fsheh miliona euro taksa të papaguara në muaj. Kompania britanike “Crown Agents” publikon një raport që tregon si funksionon kontrabanda e karburanteve në Shqipëri. “Crown Agents” solli ekspertë afatshkurtër shtesë për të kryer një rishikim të kontrollit doganor në kompanitë kryesore prodhuese. Raporti i ekspertit, që bëhet i ditur për publikun këto ditë, përfshiu ndër të tjera disa rekomandime për qeverinë që synojnë uljen e riskut të rrjedhjes së të ardhurave dhe përmirësimin e sistemeve audituese dhe kontrolluese. Një prej rekomandimeve të implementuara nga Dogana ishte një program i përbashkët kontrolli për hidrokarburet. Ky parashikonte kontrolle në rrugë, pra ndalimin e autoboteve dhe kontrollin e karburantit në to dhe gjithashtu kontrollin e depozitave të paregjistruara të karburantit. Nën drejtimin e grupeve operacionale të “Crown Agents” u kryen një sërë kontrollesh në periudhën mes muajit korrik-dhjetor 2015. Këto kontrolle u kryen në bashkëpunim me personelin e akcizës në administratë dhe me kompaninë përgjegjëse për markimin e karburanteve. Ky bashkëpunim rezultoi në zbulimin e më tepër se 120 rasteve të karburantit të tregtuar jo në përputhje me ligjin, në një total prej më tepër se 48,000 litra.
Depozita të padeklaruara
Kompania veçon një rast studimor që ka si objekt mospagimin e detyrimit të akcizës për naftën në depozita të fshehta. Në maj 2015 skuadrat e “Crown Agents” u dislokuan në zonën e Fierit. U ndërmor një kontroll i stokut të një depozite nafte me numrin përkatës në rafinerinë e naftës në Ballsh. Depozita dhe stoku ishin të regjistruara në emrin e një kompanie private. Të dhënat tregonin se depozitat e ruajtura nga kompania nga gushti i vitit 2014 shkonin në pak më pak se 5 milionë litra benzinë karburant. Njëra nga skuadrat e “Crown Agents” shkoi në rafinerinë e Ballshit dhe në zyrat e administratës së zonës operacionale të rafinerisë. Skuadra u informua se kishin vërtet një depozitë me numrin e dhënë, por nuk kishin njohuri rreth kompanisë në emër të së cilës ishte regjistruar karburanti. Pastaj u kërkuan pronarët e rafinerisë, të cilët deklaruan se sipas njohurive të tyre, cisterna në fjalë në ato momente ishte bosh dhe kishte qenë bosh që nga tetori i vitit 2013. Meqë urdhri i kontrollit doganor ishte në emër të kompanisë fillestare, nuk u ndërmor asnjë veprim i menjëhershëm atë ditë në rafineri. Pas kthimit në Doganën e Fierit, një vlerësim i përafërt i detyrimeve të karburantit që mungonte e tregonte atë në nivelin e 1.6 milionë eurove. U informuan drejtuesit operacionalë të “Crown Agents” dhe në vijim u dërgua një kërkesë për të marrë dosjet në lidhje me atë kompani nga Drejtoria e Përgjithshme e Doganave dhe Terminali i Doganës së Tiranës. Skuadra e “Crown Agents” plotësoi një procesverbal, i cili u protokollua në Fier me qëllim dokumentimin e vizitës dhe të fakteve të mbledhura. Në fillim të qershorit, skuadra u kthye në Ballsh me një urdhër kontrolli për kompaninë që kishte në pronësi rafinerinë. Nga kontrolli i një cisterne u konfirmua që ishte bosh, edhe pse kishte dy plumbçe doganore në valvulat e cisternës. Pastaj skuadra e “Crown Agents” kontrolloi të dhënat për gushtin e vitit 2014 dhe vuri re se në atë cisternë ishte depozituar 257 herë gjatë atij muaji, pa ndonjë provë të tërheqjeve të dukshme nga depozita. “Crown Agents” hartoi një procesverbal në emër të kompanisë së parë për të ardhurat e munguara në shumën 1,7 milionë euro dhe gjobë sa dyfishi i detyrimeve. Vlera totale ishte 5,2 milionë euro.
Importi “Duty free”
Kjo metodë e kontrabandës është e vjetër, por vazhdon të përdoret. Ekspertët e “Crown Agents” kryen një kontroll mbi veprimtarinë e flotës së anijeve shqiptare të peshkimit nga ku rezultoi se këto mjete përdoreshin për importimin e sasive të mëdha të karburantit “duty free” të ardhur nga portet e Italisë, Malit të Zi dhe Greqisë. Të dhënat e marra nga Porti i Durrësit, Vlorës, Shëngjinit dhe Sarandës treguan që në periudhën 1 janar – 12 mars 2015, kishin hyrë rreth 2 milionë litra karburant “duty free”, ku çmimi i blerjes së karburantit ishte shumë herë më i ulët se sa ai i marrë prej burimeve të ligjshme shqiptare. Indikatorë të qartë risku sugjeronin se këto importe karburantesh bëheshin për të shmangur taksat duke e shitur karburantin në mënyrë të paligjshme brenda vendit. Provat e mbledhura iu raportuan doganës nga “Crown Agents” së bashku me rekomandimet për të forcuar kontrollin e importit të karburantit. Në muajin korrik u prezantua një udhëzim i ri, i cili i detyronte pronarët e këtyre anijeve të peshkimit të regjistroheshin si taksapagues, të depozitonin një deklaratë doganore dhe të paguanin TVSH-në për çdo lloj karburanti të huaj ‘duty free’. Gjithashtu rregullat e reja kërkojnë që karburanti i importuar për anijet e peshkimit të jetë i shënjuar e i ngjyrosur për të lehtësuar identifikimin e statusit ‘duty free’ të këtij karburanti.
Gjetjet
Vendet ku kalojnë mallrat pa doganë
Nga kontrollet e ushtruara në 17 degët doganore, sipas “Crown Agents”, 32% e rasteve të shkeljeve janë zbuluar në Terminalin e Tiranës, 22% në Portin e Durrësit, 12% në Portin e Vlorës, 10% në Kakavijë, 6% në Shkodër, 4% në Morinë, 3% në Kapshticë, 2% në Aeroportin e Rinasit, 2% në Korçë, 2% në Elbasan, 2% në Fier dhe 3% në degët e tjera. Në një klasifikim tjetër të rasteve të kontrabandës dhe evazionit, “Crown Agents” i ndan shkeljet në: 36% gjetje gjatë kontrolleve në kufi, 24% që kanë të bëjnë me importin e përkohshëm, 24% të zbuluara në importet tregtare dhe 16% gjetje për mallrat e akcizës.
600 tonë
Alkooli industrial përdorej për pijet alkoolike
Sipas “Crown Agents” u krye një ushtrim që bazohej tek analiza e riskut për të testuar zbatueshmërinë me legjislacionin vendas të importeve të alkoolit të ‘denatyruar’ (alkool industrial, i papërshtatshëm për konsum njerëzor) që ka detyrim akcize 0%. Një tregtar u identifikua se kishte importuar mbi 600 tonë produkt nga Serbia dhe SHBA. Një Njësi Operacionale e “Crown Agents” kreu një kontroll pas zhdoganimit. Auditi tregoi se alkooli i importuar nuk ishte denatyruar sipas ligjit dhe kështu ekzistonte rreziku se ishte futur në përdorim të gjerë të pijeve alkoolike.
20 mijë tonë
Mielli, vetëm në një rast evazion 1 milion euro
Nga kontrollet dokumentarse, gjatë krahasimit të importeve dhe eksporteve të grurit të kryera nga një kompani shqiptare që importonte kryesisht nga Rusia, konstatuam mospërputhje të madhe të stokut. Duke qenë se gruri ishte importuar për t’u përpunuar dhe për t’u rieksportuar, ishte i përjashtuar nga detyrimet doganore. Kontrolli pas zhdoganimit mbi këtë kompani, i kryer nga “Crown Agents” identifikoi rreth 20,000 tonë grurë të padeklaruar (grurë që mungonte në magazinën e kompanisë) e që përbënte evazion të dyshuar të detyrimeve doganore në vlerën e 1 milion eurove. Zamir Alushi shqip















