Ceremonia e shpalljes së veprës letrare më të mirë dhe të përkthyer do të organizohet më 13 dhjetor 2016
Një ditë pas hapjes së garës për Çmimin europian në letërsi, për të cilin Shoqata e Botuesve do të propozojë një autor shqiptar për të përfaqësuar letërsinë shqipe në tregje të reja, Ministria e Kulturës publikon emrat e kandidatëve të nominuar për çmimin “Vepra letrare më e mirë e vitit” dhe “Vepra letrare më e mirë e vitit e përkthyer”. Ceremonia e ndarjes së këtyre çmimeve kombëtare të letërsisë për vitin 2015 do të organizohet më 13 dhjetor.
Juria e përbërë nga znj. Saverina Pasho në cilësinë e kryetares së jurisë dhe anëtarët: Virion Graçi, Vjollca Osja, Laura Smaqi dhe Beti Njuma ka shqyrtuar dhe përzgjedhur emrat e kandidatëve si për çmimin “Vepra letrare më e mirë e vitit” dhe “Vepra letrare më e mirë e vitit e përkthyer”. Titujt për të dyja kategoritë të renditura në rend alfabetik, kandidatët për çmimin “Vepra më e mirë e vitit” janë: Fjalor udhëzues për misterin e dosjeve – Bashkim Shehu; Gurit të varrit ia rrëfej – Agron Tufa; Largësia ideale – Parid Teferiçi; Të gjithë premtojnë Parisin – Nasi Lera; Tuneli i dhëndurëve – Shkëlqim Çela. Ndërsa kandidatët për çmimin “Vepra më e mirë e vitit e përkthyer” janë: Bukë me sallam – Charles Bukoëski – Iris Sojli; Fëmijët e mesnatës – Salman Rushdie – Ilir Baçi; Robinja – Marcel Proust – Edit Dibra; Rrëfenja e shërbëtore – Margaret Atwood – Engjëllushe Shqarri; Të parët tanë: Viskonti i përgjysmuar, Baroni rebel, Kalorësi i paqenë – Italo Calvino – Adrian Beshaj. Në këtë listë të ngushtë të kandidatëve për veprën më të mirë letrare është edhe fituesi i çmimit “Kadare 2016”, Shkëlqim Çela, që ndahet nga fondacioni “Mapo”.





















