Sipas njoftimit të PD-së, ambasadori Hill ka vlerësuar ndryshimet që kanë ndodhur në Shqipëri, duke shprehur krenarinë që SHBA ka qenë bashkudhëtare të Shqipërisë në këtë transformim të madh. Shqipëria, tha Hill i ka patur objektivat e qarta, anëtarësimin në NATO dhe në BE, ndërsa shprehu kënaqësinë që Partia Demokratike, ndonëse në opozitë, nuk resht së punuari për anëtarësimin e vendit në Bashkimin Europian.
Lulzim Basha theksoi se pavarësia e Kosovës, anëtarësimi në NATO dhe shume arritje të tjera të Shqipërisë do të ishin e pamundur pa ndihmën e jashtëzakonshme të SHBA.
Një vend të veçantë në takim zuri situata politike në vend, krimi, korrupsioni dhe zgjedhjet. Lideri i opozitës shprehu shqetësimin e rritjes dhe kultivimit të drogës, e cila është shtrirë në të gjithë vendin. Kjo është pasojë direkte, sipas tij, e kriminalizimit të politikës dhe administratës.
”Edi Rama promovoi në poste kyçe në administratë dhe futi në Kuvendin e Shqipërisë persona të dënuar për trafik droge, të cilëve edhe sot vazhdon t’u japë mbrojtje duke sfiduar haptas ligjin e dekriminalizimit i cili u mundësua me mbështetjen e madhe të SHBA”, tha Basha.
Sipas PD-së, ambasadori Hill vlerësoi kontributin e zotit Basha në miratimin e këtij ligji ndërsa theksoi se kriminalizimi ka ndikuar negativisht në imazhin e Shqipërisë dhe është e pamundur që një vend të kërkojë të bëhet pjesë e Bashkimit Europian kur nuk ka një administratë dhe parlament të pastër.
Duke u ndalur tek zgjedhjet e përgjithshme parlamentare, Lulzim Basha theksoi se ato janë të kërcënuara nga droga, krimi dhe paratë e korrupsionit, gjë që është faktuar edhe në zgjedhjet e fundit. Zoti Basha theksoi se ndonëse që në muajin maj Partia Demokratike ka propozuar ndryshime në Kodin Zgjedhor për të garantuar lirinë e votës, deri tani maxhoranca ka heshtur. Reforma, theksoi zoti Basha, u vonua qëllimisht, për të pamundësuar votimin elektronik i cili do t’i priste rrugën shitblerjes së votës. Shumë të rëndësishme e konsideroi kryetari i Partisë Demokratike çështjen e financimit të partive, ku PD ka propozuar kriminalizimin e donacioneve private dhe financimit 100% nga buxheti i shtetit si dhe auditimin e plotë e të besueshëm të financimit dhe shpenzimeve të partive politike.
Ambasadori Christopher R. Hill, duke vlerësuar lidershipin e zotit Basha dhe rolin e Partisë Demokratike në mbrojtjen e vlerave të lirisë dhe demokracisë, theksoi se PD me zotin Basha në krye ka sjellë një mënyrë tjetër të të bërit politikë e cila do ta shtyjë vendin përpara.






















