Nga Edison Kurani
Dy vogëlushë 4 e 6 vjeç, u gjetën sot të vdekur në një shtëpi në qytetin e Korçës. Pranë tyre, i ati 41-vjeçar që kishte varur ata dhe veten. Një krim i tmerrshëm që ngarkon me faj jo vetëm babanë monstër, por edhe shtetin antisocial që ekziston në Shqipëri.
Më herët, në Fier, një burrë zhveshi e dhunoi gruan në banjë dhe më pas e hodhi nga dritarja duke e vrarë. Tjetër krim monstruoz që bashkëfajtor gjen sërish shtetin që na sheh me “dylbi” prej shumë vitesh.
Të dhënat zyrtare nga Policia tregojnë se dy djemtë në Korçë ishin braktisur nga e ëma, që pak vite pasi i kishte sjellë në jetë. Ajo ikte me muaj të tërë, ndoshta në Greqi dhe dikur rikthehej. Për të ikur sërish e sërish. Në këto kushte, të vegjlit jetonin vetëm me të atin. Kuptohet që kujdesi prindëror në të tilla raste reduktohet shumë. Aq sa shpesh bëhet i pamundur kur prindi i vetëm është babai, për vetë moshën shumë të vogël të fëmijëve dhe mungesës së nënës.
E megjithatë, asnjë organ shtetëror nuk u kujdes për këtë familje. Autoritetet, përfshirë kopshti, shkolla, pushteti lokal dhe zyrat që përfaqësojnë pushtetin vendor në Korçë, zor se kishin të dhëna se çfarë po ndodhte në familjen e lagjes 4. Edhe pse vogëlushët më së shumti po jetonin pa nënën.
Asnjë këshillim, përkujdesje verbale, interesim të këtyre organeve për ecurinë e këtyre fëmijëve. Duke bërë kështu që kjo familje, ashtu si plot të tjera në vend, të ndjejnë thellësisht, deri në palcë, mungesën e kujdesit të shtetit.
E ndërsa ndjehemi vetëm, pa aromën e shtetit social në shumë nga shtëpitë tona, qeveritë dhe vendi janë duke aspiruar hyrjen në Bashkimin Evropian. Ku mbi të gjitha, standardet e përkujdesjes sociale të shtetit, janë shumë të larta. Për fat të keq ato janë shumë larg standardeve që ka vënë politika e majtë dhe e djathtë në këto 25 vjet, duke mos e çarë kokën për të qenë më afër familjeve dhe, nga ana tjetër, standardeve që vetë shoqëria shqiptare ka vënë në këto 25 vjet, duke mos i kërkuar llogari qeverive të veta për këtë mjerim shtetëror që ekziston në vend të përkujdesjes së shtetit.
Ngjarjet e fundit në Korçë dhe në Fier, janë megjithatë, një kambanë e fuqishme jo vetëm për shtetin – si bashkëfajtori i dytë kryesor në këto tragjedi që sa vijnë e bëhen më monstruoze në Shqipëri. Ne të gjithë, qytetarët dhe banorët e zonave rurale, lipset të rrisim ngutshmërisht kulturën sociale, duke mësuar të përballojmë dhe menaxhojmë në mënyrë të kujdesshme situatat e ndryshme me të cilat përballemi në jetë.
Në rastin e Fierit, ishte shumë më e thjeshtë që bashkëshorti t’i jepte fund martesës duke nisur një jetë të re, jo në qelitë e burgjeve, por jashtë tyre, në liri, pa plagë të tmerrshme të lëna pas.
Kurse në atë të Korçës, e keqja më e vogël ndaj këtyre fëmijëve, do të ishte po të braktiseshin dhe nga i ati. Sepse kështu, të paktën ata do të ishin gjallë dhe jo si shumë të tjerë që kanë ikur dhimbshëm në këto dy dekada e gjysmë.
Për fat të keq, duket se edhe shumë të tjerë do të ikin. Vetëm nëse ne dhe shteti, ndryshojmë kurs!























