Shtohet rreziku për heqjen e mandatit të deputetit socialist Armando Prenga.
Në procesin gjyqësor te zhvilluar nga familja Cali, njëri nga pjesëtarët e familjes ka deklaruar gjatë seancës gjyqësore se Prenga i ka kërcënuar dhe i qëlluar më qytën e armës.
“Na kërcënoi me armë dhe më qëlloi me qytën e pistoletës në kokë”. Kështu deklaroi sot Gjok Cali, gjatë seancën gjyqësore kundër deputetit socialist Armando Prenga, në akuzë për konfliktin me familjen Cali për Lagunën e Patokut.
Në seancën e sotme, fisi Cali ka vijuar me akuzat ndaj deputetit. Vetë Prenga nuk ka qenë i pranishëm në seancë, por avokati i tij Baftjar Rusi, përsëriti deklaratën se klienti i tij është i pafajshëm.
“Prenga është i pafajshëm. Ai qëlloi në ajër për t’u vetëmbrojtur, pasi Çalët e kërcënuan me thikë. Prenga nuk ka plagosur askënd”- tha ai.
Nëse Prengës i hiqet mandati atëherë i fundit dhe i vetmi kandidat i PS në listën e Lezhës është Kastriot Piroli, por edhe ky i fundit është një person i dënuar më parë nga gjykata.























