“Eurosport”
Kanali i njohur televiziv sportiv “Eurosport” ka përpiluar listën e 100 lojtarëve më të spikatur të shekullit të 21, të cilët kanë luajtur në kampionatin francez, duke përfshirë mes tyre dhe Lorik Canën.
Kapiteni i përfaqësueses shqiptare u bë i famshëm në Francë duke veshur fanellën e dy klubeve simbol, PSG dhe Olimpikut të Marsejës. “Nuk është një arritje e vogël që të luash me këto dy klube. Ky është rasti i Lorik Canës.
Një parisien, i rritur në akademinë e klubit, që bëhet kapiten i Olimpikut të Marsejës është tmerrësisht i rrallë. Cana është një prej tyre. Duhet thënë se është shumë e vështirë që të gjesh një lojtar më perfekt se shqiptari, i aftë të linte jetën në fushë. Goli i tij në “Velodrom” në fitoren 1-0 ndaj PSG, pas tri viteve pa suksese kundër rivalëve, e ndihmoi t’i fuste në xhep të gjithë marsejezët.
Iu afrua shumë suksesit, pa e arritur atë, pasi doli tri herë nënkampion. Sa keq, ky lider e meritonte një trofe”, shkruhej në përshkrimin për Canën, i cili renditej në vendin e 81-të të këtij klasifikimi.















