“Ekipi kombëtar shembi shumë kufij që ndajnë aktualisht popullin shqiptar”
Ndeshja e parë me kombëtaren për Canën ishte në qershorin e vitit 2003, kur Shqipëria u mund 3-2 nga Zvicra
Lorik Cana ka pranuar se në fillimin e karrierës së tij si profesionist, kur vendosi të luante për ngjyrat e Shqipërisë, pa pritur ftesat e kombëtareve të tjera, siç bënë bashkëkohës të tij, as që e kishte imagjinuar se me fanellën kuqezi do të luante një ditë në një Europian. I ftuar në emisionin e të dielës në darkë në televizionin e njohur francez “Canal+”, Cana ka treguar se kjo arritje për të kishte qenë krejtësisht e paparashikuar.
“Kur zgjodha të luaja për Shqipërinë, as që e mendoja se një ditë do të kualifikohesha në Europian. E bëra një zgjedhje të tillë, pasi dëshiroja të përfaqësoja origjinën dhe prindërit e mi. Ajo që ne kemi bërë është e mrekullueshme. Ne kemi arritur që të japim një imazh të unitetit të Shqipërisë edhe pse populli ynë është i ndarë nga shumë kufij. Ekipi kombëtar i shembi këta kufij”, u shpreh futbollisti, i cili që nga viti 2003, kur ka veshur për herë të parë fanellën kuqezi, është munduar gjithmonë që të afrojë sa më shumë lojtarë cilësorë në ekipin kombëtar. Në vitet e fundit, shumë syresh kanë zgjedhur t’i bashkohen projektit të suksesshëm të nisur nga trajneri De Biazi. “Bashkë me trajnerin De Biazi kemi arritur të bindim lojtarët më të mirë shqiptarë që të na bashkohen. Por nuk ia kemi dalë me sukses gjithmonë. Sot, gjysma e kombëtares zvicerane është e përbërë nga shqiptarë, Mustafi ka zgjedhur Gjermaninë, i riu Januzaj i Mançester Junajtid mund të na bashkohej gjithashtu. Por ne arritëm të bindnim disa të tjerë”, tha Cana, duke bërë të qartë se kuqezinjtë mund të kishin qenë një ekip edhe më cilësor nëse do të kishin pasur në dispozicion edhe lojtarët që kanë zgjedhur të përfaqësojnë shtete të tjera.
Në këtë intervistë, Cana ka treguar edhe se fjala që i kishte dhënë presidentit të Nantës bëri që ai të mos pranonte ofertën e Olimpikut të Marsejës. “Kjo ishte diçka që në fakt nuk duhej të bëhej publike. Më duhet të falënderoj Edvin Muratin që e përmendi”, ishte batuta e tij. “Në 48 orët e fundit të merkatos, më telefonoi presidenti i Olimpikut të Marsejës. Por prej disa ditësh unë i kisha dhënë fjalën time Nantës. Të gjithë e dinë se sa shumë e dua Olimpikun e Marsejës, por nuk desha të thyeja fjalën e dhënë”, shpjegoi mbrojtësi i cili pas dy javësh do të vihet përballë ish-klubit të tij. “Unë gjithmonë do të mbetem një tifoz i Olimpikut të Marsejës. Por kjo nuk do të më pengojë të jem i pari që do të kërkojë t’i mundë në fushën e lojës pas 15 ditësh”, tha Cana.















