Drejtori i Policisë së Shtetit, Drejtues Madhor Haki Çako, vijon takimet me drejtuesit e lartë të disa agjencive ligjzbatuese në SHBA. Bashkëpunimi në luftën kundër terrorizmit dhe rritja e bashkëpunimit dhe hetimeve të përbashkëta veçanërisht në fushën e trafikut të qenieve njerëzore ishin çështjet kryesore që u diskutuan.
Takimi në Departamentin e Policisë së Nju-Jorkut
Fillimisht në Departamentin e Policisë së Nju-Jorkut, Çako është pritur nga drejtori i Policisë për Nju-Jorkun, James P O’Neill.
“Zoti O’Neill e përgëzoi zotin Çako për rezultatet e Policisë Shqiptare në luftën kundër krimit të organizuar e terrorizmit. O’Neill e vlerësoi si një partner të besueshëm e serioz Policinë Shqiptare”, thuhet në deklaratën e shpërndarë për shtyp.
Drejtori i Policisë së Shtetit ka zhvilluar një takim edhe me drejtorin e Inteligjencës në Nju0Jork, Thomas P Galati (njëherazi edhe Drejtor për Krimin e Organizuar e Terrorizmin). “Galati- Çako vlerësuan lart marrëveshjen e bashkëpunimit për shkëmbimin e informacionit në luftë kundër terrorizmit të firmosur nga Ministri Saimir Tahiri dhe Drejtori i FBI-së, si dhe portokollin operacional të firmosur nga drejtori i Policisë së Shtetit dhe Drejtuesit e Antiterrorit. Zoti Galati e falënderoi zotin Çako, për punën e mrekullueshme dhe bashkëpunimin e shkëlqyer, në një rast të përbashkët hetimi për terrorizëm. Në këtë hetim u përfshinë FBI-ja, Policia Shqiptare dhe Drejtoria e Inteligjencës së NYPD”, thuhet në deklaratë.
Galati i ka ofruar Policisë Shqiptare mbështetje për Strukturat Antiterror dhe të Krimit të Organizuar. Gjithashtu me drejtues të Departamentit të Policisë së Nju-Jorkut është diskutuar për mundësitë e trajnimeve dhe specializimeve të oficerëve të Policisë shqiptare në Akademinë e Policisë në Nju-Jork.
/ G.S. /















