Ministri i Jashtëm Ditmir Bushati, në një intervistë shprehet se Shqipëria do të përfitojë politikisht dhe ekonomikisht statusi i vendit “kandidat”
Nga Brukseli,
Pa parashikuar shpejtësinë me të cilën do të ecë procesi i hapjes së negociatave me Bashkimin Europian, Bushati shprehet se kjo do të varet nga shpejtësia dhe cilësia e reformave që qeveria do të ndërmarrë por dhe nga oreksi që do të kenë vendet anëtare për ta mbajtur në axhendën e tyre procesin e zgjerimit.
Zoti ministër, urime për statusin, dhe ju ishit një nga kontribuesit që jeni vlerësuar në mënyrë të veçantë nga kryeministri. Është thënë që pas statusit nuk do të ketë menjëherë nisje të negociatave. Do të jemi në një periudhë prove, apo vendosjesh të kushteve për nisjen e tyre?
Kjo tashmë është një praktikë e konsoliduar e BE në raport me vendet e Ballkanit Perëndimor e tillë ka qenë në rastin e Kroacisë, e Serbisë, të Malit të Zi dhe po kështu do të jetë dhe me rastin e Shqipërisë.
Pra kemi një ndarje detyrash dhe procesesh ndërmjet statusit të vendit kandidat apo standarteve që duhen përmbushur për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe standarteve që duhen përmbushur për të marrë dritën jeshile për fillim e bisedimeve për anëtarësimin në BE.
Para mbledhjes së Ministrave të Jashtëm, përfaqësues i Luksemburgut, por dhe ministri i jashtëm grek Vangjel (Evangelos) Venizellos, ishin shprehur me shpresë për gjetjen e një koncensusi mes të gjitha vendeve anëtare. U fol për vështirësi me Spanjën dhe Çekinë. Si u kaluan këto qëndrime?
Është një qëndrim i drejtë dhe i kujdesshëm sepse si në BE ashtu dhe në NATO, ku unë jam në tryezën e vendimmarrjes duke përfaqësuar Shqipërinë si vend anëtare, për vendime të tilla që kanë lidhje me zgjerimin, funksionon parimi i unaninimtetit, askush nuk mund të flasë në emër të gjithë organizatës për sa kohë nuk ka një vendimmarrje finale.
Por do të doja të vlerësoja rolin e presidencës greke e cila në kohë të vështira për procesin e zgjerimit, e risolli me aq sa mundej temën e zgjerimit në vëmendje të BE-së, sikundër presidencën e ardhshme italiane e cila ishte në sintoni të plotë me atë greke për ta konsideruar vitin 2014 vitin e rajonit.
Po ashtu do ta vlerësoja rolin e qeverisë austriake që duke qenë se është mbajtëse e presidencës së nismës së Europës Qendrore, ta fokusojë nismën e saj tek Ballkani Perëndimor, prioritetet e këtij rajoni, dhe posaçërisht për Shqipërinë.
Po kështu mendoj se roli i Gjermanisë dhe i Francës kanë qenë instrumentalë në ecjen përpara në rastin e kandidaturës së Shqipërisë.
Mos harrojmë që pas pak ditësh do të ketë në Dubrovnik një samit të rëndësishëm me pjesëmarrjen e kancelares Merkel, dhe po kështu në fund të gushtit do të jetë sërish kancalarja gjermane, që do të drejtojë një konferencë për vendet e Europës Juglindore, ku ne do të jemi pjesëmarrës. I një rëndësie të veçantë ka qenë roli i qeverisë holandeze, daneze, britanike, të qeverive i të atyre që dhjetorin e kaluar e kishin përcaktuar qartë pozicionin e tyre pro statusit të vendit kandidat për Shqipërinë, ashtu dhe vendeve dhe qeverive që kishin dyshime për rekomandimin e komisionit kërkonin më shumë prova nga Shqipëria në këtë proces.
Në një organizatë ku funksionon unanimiteti, falenderimet shkojnë për të 28 vendet.
Ishte kjo dhe një sfidë personale e komisionerit për zgjerim, Stefan Fyle për të regjistruar dhe një sukses në rekordin e tij në fund të këtij mandati të tij?
Besoj se në çdo person përfaqëson një institucion të rëndësishëm, siç është Komisioni Europian dhe më përkatësisht Drejtorinë e Përgjithshme të Zgjerimit, sfidat individuale janë të absorbuara nga sfidat dhe objektivat individuale.
Në rastin e komisionerit për zgjerimin, zoti Fyle kuptohet se e ka drejtuar këtë çështje me kujdesin e duhur, aq më tepër që zgjerimi ka kaluar periudha të vështira dhe mund të thuhet që në këtë mandat të tij ne kemi anëtarësimin e Kroacisë dhe ecjen përpara të tre vendeve të rajonit, Serbisë, Malit të Zi dhe së fundmi dhe Shqipërisë.
Pra dhe në kontekstin gjeopolitik dhe balancave etnike në rajon, duket se rekomandimet e KE-së dhe më pas miratimi i tyre nga ana e vendeve anëtare i kanë shërbyer këtij konteksti.
Zoti ministër, çfarë përfitojnë Shqipëria dhe shqiptarët me statusin e vendin kandidat. Është thënë se është vetëm një pilulë antidepresive politike…
Unë besoj se në aspektin politik Shqipëria do të jetë përfituese nga kjo vendimmarrje. Sepse ne tashmë konsiderohemi një vend kandidat për në BE, që do të thotë se niveli i bashkëpunimit të Shqipërisë me BE-në do të forcohet.
Është një mesazh pozitiv jo vetëm për Shqipërinë por për të gjithe vendet e rajonit. Është një mesazh shpërblyes për reformat e ndërmarra,për linjën e qartë që Shqipëria ka pasur në politikën e jashtme me BE-në dhe SHBA-në, aq më tepër ku ka pasur të bëjë me vendimmarrje jo të lehta në kohë të krizave ndërkombëtare.
Në lëmin politik është gjithashtu një kartëvizitë e mirë përtej Europën, kur do të hyjë në bisedime me një vend si Shqipëria, qoftë për konsultime politike po marrëdhënie ekonomike kur përballë ke një vend që është kandidat për në BE.
Në planin ekonomik, mendoj se përcjëllësi i reformave sidomos i sundimit të së drejtës në fushën ekonomike do të duhet të intensifikohet në mënyrë që ne të shohim gradualisht edhe përfitimet dhe do të duhet në këtë drejtim të forcojmë kapacitetet tona përthithëse sa i takon projekteve dhe fondeve të BE-së.
Në planin social mendoj se Shqipëria do të përfitojë nga ky proces sepse do t’i duhet që një pjesë të mirë të politikave të saj të vazhdojë t’i njehsojë dhe të ketë pak a shumë të njëjtën qasje me BE qoftë nëpërmjet instrumenteve të buxhetit financiar, apo dhe instrumenteve të fondeve të BE-së apo fondeve që mund të jenë në bllok për të gjitha vendet e BE-së.
Është e drejtë të thuhet edhe çfarë përfiton Europa nga statusi i vendit kandidat të Shqipërisë apo dhe afrimi i saj me Europën.
BE përfiton një Shqipëri më të stabilizuar, një klasë politike që uroj, shpresoj dhe besoj do të punojë për të gjetur më shumë kompromise madhore, një Shqipëri që do të projektohet në rajon jo vetëm si pol stabiliteti, por dhe si një pol zhvillimesh dhe transformimesh demokratike. Gjithashtu Europa përfiton edhe nga fakti që territori i saj gradualisht fillon të bëhet një territor gjeografik, politik dhe ekonomik ku influenca e BE-së është e pakundërshtueshme.
Kryeministri Rama është shprehur se Shqipërisë do t’i duhen të paktën 10 vjet për t’u anëtarësuar në BE. Shpejtësia e negociatave do të varet nga reformat e brendshme të qeverive shqiptare apo nga fokusi i BE-së në rajon dhe tek Shqipëria?
Besoj se ecuria e mëtejshme e Shqipërisë do të varet nga kredibiliteti i reformave në vend në radhë të parë por nga oreksi që do të kenë vendet anëtare për ta mbajtur në axhendën e tyre procesin e zgjerimit.
Kredibiliteti i procesit është shumë i rëndësishëm gjithashtu parashikueshmëria e këtij procesi është një komponent që ia shton kredibilitetin këtij procesi.
Rruga jonë do të jetë një rrugë e vështirë sese në këtëprovces qëllimi ynë kryesor është që ta shohim si një proces për transformim demokratik, ekonomik dhe shoqëror.
Është e rëndësishme që ky proces transformimi europianizues të ndodhi çdo ditë dhe të shtrihet në mënyrë graduale.
Statusi u dha në momentin kur forcat ekstremiste në Europë janë më të forta se në dhjetor. Përse nuk luajtën të njëjtin rol penalizues për Shqipërinë?
Nuk do ta shihja bardhë e zi. Jo në të gjitha vendet europiane forcat e ekstremit të djathtë, arritën rezultatet që pritnin.
Në një pjesë të këtyre vendeve kur rezultati ishte përtej parashikimeve të tyre, çështjet e zgjerimit janë më të vështira për t’i ndarë me opinionin publik.
Këtu mund t’ju them se një pjesë e këtyre vendeve kërkonin edhe në tekstin e përfaqësim të shqetësimeve të tyre të brendshëm, pavarësisht nëse kishin lidhje të drejtpërdrejtë me statusin e vendit kandidat për Shqipërinë.
Është një element që do të vazhdojë të qëndrojë aty në një pjesë të mirë të jetës politike të vendeve të BE, por them se vendimmarrja për t’i akorduar Shqipërisë statusin e vendit kandidat, është e merituar, është dhe një vendimmarrje që unë do të doja ta lexoja si një vendimmarrje gjeostrategjike të BE-së për të ecur përpara me procesin e zgjerimit pavarësisht kundërshtimeve dhe faktit që nuk është një proces popullor për një pjesë të mirë të vendeve të BE-së.














