“I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve anë e mbanë botës, të demonstrojnë të njëjtën maturi që demonstroi ekipi jonë kombëtar, dhe mos tu përgjigjet provokimeve” tha ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati.
Ministri i Jashtëm shqiptar Ditmir Bushati ka reaguar ndaj asaj që ai e cilësoi si nje gjuhë urrejtjeje nga zyrtarët e lartë serbë pas incidenteve të ndodhura gjatë ndeshjes Serbi-Shqipëri, të martën në stadiumin “Partizani” në Beograd. Të enjten në seancë e përjavshme të parlamentit shqiptar, ai tha se “Dje kemi pasur reagim nga ana e presidentit të Serbisë, kryeministrit, Federata Serbe e Futbollit, emëruesi i përbashkët i këtyre deklarimeve kishte gjuhën e urrejtjes ndaj Shqipërisë. Me keqardhje kemi konstatuar dhe e kemi bërë në rrugë zyrtare, ku presim distancim të autoriteteve serbe nga kjo rrugë. Janë evidentuar elemente që bien në kundërshtim me Serbinë dhe rregullat e BE-së” tha zoti Bushati. Duke sjellë hollësi para deputetëve, ai përmendi dhe njëherë të gjithë itinerarin e ngjarjeve që u shoqërua ndeshja, por dhe para se ajo të niste, Bushati ka theksuar se kjo situatë precipitoi, deri në ushtrimin e dhunës ndaj Kombëtares Shqiptare të Futbollit. “Kjo solli bllokimin e Kombëtares Shqiptare në dhomat e zhveshjes, nën trysni, të cilat u dokumentuan dhe perms fotove dhe pamjeve që bën xhiron e botës”, tha ministri i jashtëm shqiptar. “Së pari ajo ç\’ka është e UEFA-s është e saj, dhe ajo çka është detyrë e Serbisë, i takon asaj. Të njëjtën gjë e kemi bërë dhe në rrugë diplomatike, duke mbajtur kontakte të vazhdueshme, jo vetëm me autoritetet ndërkombëtare, të cilët janë të interesuar për të pasur një situate sa më të qetë. Zoti Bushati tha se, krahas distancimit nga aktet e dhunës, kërkojmë hetim të plotë për çështjet. \”Ndaj nxisim autoritetet serbe që nëse kanë fakte për çdo person që është përfshirë në akte dhune dhe fyese, që do të dëshmonte rregullat dhe angazhimet e saj\” tha ai. \”Sporti është një urë lidhëse ndërmjet popujve, dhe duhet të shkëputet nga huliganizmi, dhe jo të zhurmojë hapësirën publike e politike. Jemi të vendosur për të vazhduar me kursin tonë si vend anëtar i NATO-s, i cili rrezaton siguri dhe nuk përbën në asnjë rrethanë dhe kërcënimi për askënd\” tha zoti Bushati. \”Hedhim poshtë dhe përbuzim ato ide që kërcënojnë shqiptarët se mund të jenë kërcënim për Ballkanin dhe Europën. I bëj thirrje të gjithë shqiptarëve anë e mbanë botës, të demonstrojnë të njëjtën maturi që demonstroi ekipi jonë kombëtar, dhe mos tu përgjigjet provokimeve” përfundoi fjalën e tij në parlament ministri i jashtëm shqiptar Ditmir Bushati lidhur me ngjarjet e fundit ne Beograd.















