Ministri i Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dënon aktet brutale të dhunës, siç i cilësoi ai, ndaj ekipit tonë kombëtar të futbollit, në stadiumin e Beogradit. Duke shprehur qëndrimin e Tiranës zyrtare, Bushati deklaroi se provokimet nisën nga tifozët serbë që në çeljen e ndeshjes Serbi-Shqipëri. Ai tha gjithashtu se duke marrë shkas nga incidentet e shumta që ndodhen para dhe pas fillimit të ndeshjes në stadiumin “Partizani”, në Beograd, kërkoi një takim me homologun e tij serb, Ivica Daçiç, gjë e cila u refuzua nga ky e fundit.
“Kam kërkuar zyrtarisht komunikim të drejtpërdrejtë edhe me homologun Ivica Daçiç, me synim zhbllokimin e kësaj situate, komunikim i cili nuk u realizua për shkak të mungesës së disponibilitetit të palës serbe. Në të njëjtën kohë Ministria e Punëve të Jashtme thirri ambasadorin e Republikës se Serbisë në Tiranë z. Miroljub Zariç, duke i shprehur shqetësimin për situatën e krijuar ne Aeroportin e Beogradit dhe faktin se nuk do të toleronim që të cenohej asnjë shtetas shqiptar në Beograd. I kërkuam palës serbe që të dëshmonte maturi dhe vetëpërmbajtje dhe të mos përdorte një ndeshje futbolli për politikë, të bindur se vendi i futbollit është në fushën e blertë dhe jo në dyert e aeroporteve dhe korridoret e kancelarive diplomatike”, – tha Bushati. Ministri renditi provokimet serbe të bëra në prezencë të autoriteteve të larta të këtij vendi. “Në orën 20:45, në fillim të ndeshjes Serbi-Shqipëri në prani të autoriteteve më të larta të shtetit serb, tifozët në stadium kanë përdhosur himnin kombëtar dhe simbolet tona.
Turma prej mijëra tifozësh serbë shpërthyen në thirrje urrejtjeje dhe britma kërcënuese si, ‘Vritini shqiptaret’. Pas hedhjes në mënyrë sistematike të sendeve të forta në fushë, është tërhequr me forcë nga lojtarët serbë, një banderole me imazhe kombëtare, gjë që ka shkaktuar reagimin e lojtarëve shqiptarë. Situata ka degraduar me ndërhyrjen e dhunshme të huliganëve serbë në fushë dhe ushtrimin e dhunës ndaj lojtarëve tanë”, – deklaroi ai. Bushati shtoi se edhe pas vendimit të UEFA-s për pezullimin e ndeshjes djemtë e kombëtares, stafi teknik, gazetarët dhe të ftuarit e FSHF-së u gjendën në një situatë presioni psikologjik të pashoq.
















