Një rrëfim për traditën e burrneshave shqiptare, i realizuar me koncept të një regjisoreje italiane, nëpërmjet kastës e fondeve të pesë shteteve, e ka listuar Kosovën për herë të parë mes vendeve konkurrente për çmimin prestigjioz kinematografik “Ariu i artë”.
“Burrneshat”, i regjisores Laura Bispuri, do të shfaqet premierë në edicionin e 65-të të festivalit “Berlinale”. Filmi i bazuar në librin e shkrimtares shqiptare Elvira Dones është bashkëprodhim i Italisë, Zvicrës, Gjermanisë, Shqipërisë dhe Kosovës, i cili futet në listë me jo më shumë se 50 mijë euro, sa ka qenë buxheti me të cilin Qendra Kinematografike e Kosovës e ka subvencionuar këtë film duke u bërë bashkëprodhuese.
Shfaqja e “Burrneshat” më 12 shkurt në festivalin prestigjioz e rikthen në tepihun e kuq të “Berlinales” aktoren kosovare Ilire Vinca. Aty do të jetë edhe aktori Luan Jaha, i cili njëjtë sikurse Vinca katër vjet më parë e kishte shansin, por nuk e shfrytëzoi. Në filmin “Burrneshat” portretizon Katrinën, një nënë malësore që jeton e izoluar në malet e Valbonës. Protagonistja Hana luhet nga aktorja italiane Alba Rohrwacher, derisa në kastën e aktorëve bëjnë pjesë edhe Lars Eidinger, Flonja Kodheli, Emily Ferratello etj.
Në ueb faqen zyrtare të “Berlinales” të hënën janë publikuar emrat e filmave që e kompletojnë listën konkurruese të edicionit të 65-të të Festivalit Ndërkombëtar të Filmit në Berlin, pasi që disa prej tyre ishin bërë publikë në fund të dhjetorit. “Burrneshat” me titull origjinal në italisht “Vergine Guirata” është radhitur mes “Aferim”, një bashkëprodhim mes Rumanisë, Bullgarisë e Republikës Çeke, “El Club”, nga Kili, “Elser”, i Gjermanisë, “Every Thing Will Be Fine” – bashkëprodhim mes Gjermanisë, Kanadasë, Francës, Suedisë e Norvegjisë, “Ten no chasuke” i Japonisë etj. Vitin e kaluar “Ariun e artë” e mori filmi kinez “Black Coal, Thin Ice”.
Audienca e “Berlinales” ishte familjarizuar me kinematografinë kosovare qysh para dy vjetësh. Suksesi më i madh që ka pasur Kosova deri më tani në festivalin prestigjioz është ai i aktores Arta Dobroshi, që në shkurt të vitit 2013 ishte bërë aktorja e parë nga Kosova që merr çmimin “Shooting Stars”, për aktorët e rinj më të mirë në Evropë, që e ndan “European Film Promotion”. Dobroshi, po ashtu kishte qenë pjesë e jurisë së filmave të shkurtër ndërkombëtarë në edicionin e vitit 2009 të “Berlinales”.
E rrëfimi i “Burrneshave” e fut Kosovën për herë të parë në garën për filmin më të mirë artistik, që shpërblehet me “Golden Bear”.
Në një intervistë dhënë “Kohës Ditore” në prillin e vitit 2013, regjisorja italiane Laura Bispuri kishte thënë se “Burrneshat” i ka dhënë rast të zhvillojë një temë që gjithmonë e kishte pasur për zemër.
Ajo e kishte cilësuar filmin si reflektim të mrekullueshëm për feminitetin në relacion me identitetin dhe lirinë, tek kishte potencuar se bota nuk i kishte kuptuar mirë virgjëreshat e përbetuara të Shqipërisë.
“Rrëfimi i Hanës dhe bota së cilës i takon tashmë është treguar nëpërmjet kinemasë, por virgjëreshat e përbetuara janë mirëkuptuar fare pak dhe unë kam zgjedhur ta përdor atë si emblemë për një metaforë më të përgjithshme për marrëdhëniet mes lirisë së grave dhe botës”, kishte thënë Bispuri.
Edicioni i sivjetmë i festivalit prestigjioz të filmit shtrihet midis datave 5 e 15 shkurt dhe do të bëjë bashkë në Berlin emra të njohur të kinematografisë.
Aktorja Ilire Vinca të hënën ka përjetuar gëzim të dyfishtë.
“Më ka gëzuar fakti që për herë të dytë kthehem në këtë festival. Realisht s’më ka shkuar ndërmend që do të përsëritet. E dyta, më gëzon fakti që për herë të parë në një festival kaq prestigjioz përfaqësoj Kosovën”, ka thënë Vinca. Në vitin 2011 kishte shkelur në tepihun e kuq të “Belinales” me kastën e filmit “Falja e gjakut” të regjisorit amerikan Joshua Martson. Filmi amerikano-shqiptar u shpërblye me “Ariun e argjendtë” për skenarin më të mirë, të shkruar nga Andamion Murataj. Pos saj në “Berlinale” kishte qenë edhe aktori Çun Lajçi, përderisa kishte munguar Luan Jaha që ishte në mesin e treshes së aktorëve të Kosovës që luanin në këtë film.
Sipas Vincës, me këtë pjesëmarrje Kosova ka dëshmuar që është gati të futet në garat më të mëdha kinematografike.
“Po tregojmë që kemi kapacitete dhe po më vjen mirë që ka ardhur koha të shihen. S’mund të dorëzohemi, por është koha të dalim e të shpërthejmë në botë”, ka thënë ajo.
Vinca e cila në “Burrneshat” luan një rol dytësor, ka thënë se procesi i punës në realizimin e filmit ka qenë kënaqësi për të. Por as vetë ende nuk e ka parë produktin final.
“Do të jetë përjetim i dyfishtë në ‘Berlinale’ sepse ende nuk e kam parë sesi ka dalë i gjithë filmi. Ekipi ka punuar me shumë dashuri e përgjegjësi dhe shpresoj që puna e Laurës do të shpërblehet”, ka thënë Vinca.
Arben Zharku, drejtor i Qendrës Kinematografike të Kosovës, ka thënë se pjesëmarrja e Kosovës për herë të parë në konkurrencë zyrtare është rezultat i lobimit të viteve të fundit, që institucioni që ai udhëheq e ka bërë në festivalin prestigjioz.
“Ky film që e fut Kosovën për herë të parë në konkurrencë është kontribut i të gjitha punëve që kemi bërë në katër vjetët e fundit në ‘Berlinale’. Kontributi ynë është që kemi inkurajuar artistë të mirë të bashkëpunojnë me Kosovën”, ka thënë Zharku, tek ka shtuar se QKK-ja këtë film e ka përkrahur me 50 mijë euro në konkursin e vitit 2013.
“Burrneshat” shtjellon rrëfimin e Hana Dodës, e cila i bindet ligjit të vjetër të Kanunit, që u jep grave mundësinë për të jetuar të lira si burrat, duke pasur një pushkë, por duke marrë në këmbim betimin e virgjërisë së përjetshme. Por zgjedhja e re e Hanës që shndërrohet në Mark bëhet burg për të, dhe malet e gjëra të Valbonës i duken të ngushta. Andaj vendos të bëjë një udhëtim dhe lë vendin e saj për të shkuar në Itali, ku përplaset me kufirin mes dy botëve të largëta dhe të ndryshme. Aty, Marku rizbulon Hanën.
Aktorja në rolin kryesor, Alba Rohrwacher, nё katër edicionet e fundit të Festivalit të Filmit në Venecie ka fituar tri herё si aktorja mё e mirё, dhe nё karrierёn e saj numëron mbi 20 çmime tё rёndёsishme ndёrkombёtare. Në “Burrneshat” luan edhe aktorja shqiptare Flonja Kodheli, e cila ka luajtur në filmin francez “Jashtë mureve”, në “Amsterdam Express”, si dhe në rolin kryesor në filmin “Bota”. Një tjetër aktor shqiptar në këtë film është edhe Bruno Shllaku i njohur për rolet në “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Gjaku i Arbrit” etj.
Ende pa u realizuar projekti “Burrneshat”, më 2013 ishte përzgjedhur të prezantohet në kuadër të një prej festivaleve me nam në botë. Ky projekt ishte futur në mesin e pesëmbëdhjetë projekteve filmike që ishin prezantuar në edicionin e 66-të të Festivalit të Filmit në Cannes, në kuadër të “Atelier of the Cinefondation” që për çdo vit përzgjedh projekte nga gjithë bota dhe i fton regjisorët në Festivalin e Cannes që të krijojnë kontakte me kineastë profesionistë.
Kosova e Shqipëria bashkë në tregun e “Barlinales”
Për të katërtën herë me radhë Kosova do të ketë një stendë në tregun e festivalit me nam. Në edicionin e 65-të të “Berlinales”, Qendra Kinematografike e Kosovës do të prezantojë katalogun me rreth 50 filma të të gjitha zhanreve që ka subvencionuar në vitet e fundit.
Arben Zharku, drejtor i QKK-së, ka thënë se janë në finalizim të katalogut me të cilin do të promovojnë filmat e rinj që janë përkrahur nga ky institucion.
“Jemi duke e bërë gati katalogun me produkte të reja për në ‘Berlinale’. Pritet të jenë rreth 50 filma të shkurtër, dokumentarë, të animuar e të gjatë që i kemi përkrahur në 2 a 3 vjetët e fundit”, ka thënë Zharku, tek ka shtuar se në katalog përfshihen projekte filmike që janë finalizuar, por që nuk janë parë në publik sikurse edhe projekte të reja që janë ende në fazën e realizimit.
Sipas Zharkut, sivjet në festivalin prestigjioz të filmit Kosova do të ketë stendën e përbashkët me Shqipërinë.
“E kemi marrë bashkë me Shqipërinë që t’i reduktojmë shpenzimet”, ka thënë Zharku, tek ka shtuar se për stendën në “Berlinale”, QKK-ja ka paguar 4 mijë euro.


















