Bëhet e ditur se policët e burgjeve do i nënshtrohen një provimi për të parë nëse janë të aftë ose jo për punën që kryejnë. Testimi i të gjithë policëve të burgjeve do bëhet pas urdhrit të datës 8 janar 2015 që mban firmën e Ministrit të Drejtësisë, Nasip Naco. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Artur Zoto, ka bërë të ditur ngritjen e një komisioni të posacëm për hartimin e programit mbi bazën e të cilit do të kryhet testimi. Zoto tregon se është përcaktuar grafiku për cdo institucion, në mënyrë që cdo efektiv i policisë së burgjeve të ketë në dispozicion një afat kohor të vecantë në mënyrë që të jetë i përgatitur kur të vijë koha dhe data e testimit. Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve e cilësoi këtë proces si “transparent” dhe që ka në bazë zhvillimin e kapaciteteve institucionale. Testimi do të konsistojë në tri drejtime: vlerësim i njohurive profesionale, aftësive fizike dhe aftësive psikologjike. Punonjësve të Policisë së Burgjeve do u lihet në dispozicion një afat dhjetë ditor për t’u përgatitur për testimin. Menjëherë pas këtij afati, do të fillojë testimi i njohurive të tyre. Zoto bën të ditur se ky proces do të nisë në shkurt dhe do të përfundojë në mars. Policët që do të rezultojnë “të dobët” nga rezultatet e provimeve, do i nënshtrohen trajnimit për të pasur mundësi që të kryejnë mirë punën e tyre.
















