Deputeti demokrat Aldo Bumçi në një intervistë për gazetën “Shekulli” ka shpjeguar motivet që detyruan demokratët dhe qytetarët për të dalë në protestë. Qytetarët, sipas tij, pa dallime politike do të dalin në protestë për të ndryshuar kursin e qeverisë. Bumçi tha se kjo protestë do t’i kujtojë qeverisë që të mos bëjë “veshin shurdh” ndaj kërkesave të qytetarëve dhe sipërmarrësve.
Z. Bumçi, të shtunën në ora 12:00 pritet të mbahet një protestë. Qytetarët pse duhet të dalin në këtë protestë për t’iu bashkangjitur?
Jeta është bërë shumë e shtrenjtë, ka rritje të çmimeve, nuk ka punësim. Njerëzi nuk lejohen të punojnë. Mirë punë të shtetit që nuk ka, pasi nuk mund të punojnë të gjithë në shtet, por edhe punë private nuk ka. Të ndalosh aktivitetin privat, të ndalosh ekonominë, duke rritur taksat dhe duke krijuar pasiguri. Të gjitha këto kanë krijuar një situatë që ekonomia shqiptare është paralizuar dhe ka rënë buxheti, kanë rënë investimet dhe ka një pakënaqësi shumë të madhe që i kalon ndarjet politike.
Ju thoni se kjo protestë nuk është politike ndërkohë që protesta është iniciuar dhe organizuar nga ju?
Kjo nuk është protestë politike, është protestë për problemet ekonomike. Njerëzit, duke dalë në protestë, do kërkojnë që të ndryshohet kursi dhe që qeveria të mos bëjë “veshin shurdh” ndaj kërkesave të qytetarëve dhe sipërmarrësve. Kjo protestë na është kërkuar nga vetë qytetarët e të gjithë partive. Në këtë protestë do të dalin në shesh qytetarë që kanë votuar edhe për të majtën ose që nuk kanë votuar fare.
Sipas jush njerëzit a nuk janë lodhur nga protestat…?
Njerëzit janë lodhur nga qeverisja. Qeverisja nuk po i jep shpresë. Askush nuk pret që të ndodhë ndonjë mrekulli, por për një vit ka pasur mundësi që të tregohen disa shenja dhe nuk ka shenja. Situata po shkon për keq. Vetë INSTAT-i thotë që në tre mujorin e dytë ekonomia shqiptare ka njohur ulje, ku me 0.6 për qind ka pasur rënie konsumi. Dhoma e Tregtisë Amerikane dhe të gjithë shoqatat e biznesit po ankohen për taksim të dytë të rritjes së taksave.
Aleatët a do të jenë pjesë e protestës?
Partitë opozitare dhe sindikatat do të jenë pjesë e protestës, njësoj si ata dhe shumë qytetarë na thonë se kemi votuar për të majtën dhe të shtunën do të jemi në protestë. Kjo nuk është propagandë, është e dhënë nga terreni. Njerëz që janë të zhgënjyer, janë të revoltuar për një qeverisje që mbyll shkolla dhe do të shtojë burgjet. Një qeverisje që nuk hapë vende pune, por shton 1100 policë rendi dhe 300 policë burgjesh. Ata po bëjnë vetëm një shtet policor që përmendi dhe zoti Rama dhe asgjë tjetër.
Nga informacionet që keni a do t’i bashkëngjiten protestës dhe qytetarë nga rrethet?
Absolutisht po. Patjetër që Tirana do të ketë dhe pjesëmarrjen më të madhe, por nga rrethet dhe nga e gjithë Shqipëria do të ketë pjesëmarrje të madhe. Pritet që kjo protestë të jetë shumë e madhe, më e madhe se ajo e shkurtit.















