Gjatë vizitës së tij në Sofie të Bullgarisë, presidenti Nishani u takua me homologun e tij bullgar Rosen Plevneliev.
Në takimin me homologun bullgar, u diskutua për bashkëpunimin dypalësh, atë rajonal dhe euroatlantik. Nishani i shprehu ngushëllimet e tij për ndarjen nga jeta të ish-Presidentit të Bullgarisë Zhelju Zhelev dhe kërkoi intensifikimin e bashkëpunimit mes dy vendeve në aspektin tregtar dhe ekonomik. Në bisedë rreth bashkëpunimit rajonal dhe euroatlantik, Nishani vlerësoi marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve dhe theksoi rëndësinë që kjo klimë bashkëpunimi të shoqërohet me zhvillim të marrëdhënieve ekonomike dhe tregtare. Ai e siguroi homologun e tij bullgar se vizita e ardhshme e tij në Sofje do të jetë një hap mjaft i rëndësishëm në zhvillimin mes dy vendeve. Presidenti i Republikës së Shqipërisë informoi Plevneliev se gjatë vizitës synon që të shoqërohet nga një grup sipërmarrësish shqiptarë, me qëllim nxitjen e bashkëpunimit ekonomik konkret mes sipërmarrjeve shqiptare dhe bullgare. Presidenti Plevneliev e miratoi dhe mbështeti këtë nismë të homologut të tij shqiptar. Lidhur me procesin e integrimit të Shqipërisë në BE, presidenti Nishani i tha homologut të tij se Bullgaria me eksperiencën e saj të aderimit në BE, do mund t’i japë një ndihmesë të vyer Shqipërisë dhe të gjitha vendeve të rajonit.















