Britaniku i parë që u infektua me koronavirusin në Wuhan pretendon se arriti t`ia hidhte paq sëmundjes vdekjeprurëse edhe pse refuzoi antibiotikët. 25-vjecarit Connor Reed, mësues nga Uellsit, simptomat iu shfaqën një muaj e gjysmë më parë.
Ai u dërgua me urgjencë në spital të qytetit kinez ku shpërtheu sëmundja me vështirësi të mëdha në frymëmarrje dhe kollë të fortë. Reed rrëfen se përdori inhalator për të kontrolluar kollën e tmerrshme, dhe pastaj kishte pirë vetëm whisky të përzier me mjaltë.
“Është recetë e vjetër, por duket se funksionoi. I refuzova antibiotikët që donin të më administronin mjekët, sepse nuk desha të marr ilaçe”, është shprehur ai. Në atë moment, 25-vjeçari nuk e dinte që ishte prekur nga koronavirusi.
Këtë mjekët ia thanë dy javë pasi kishte dalë nga spitali. Reed shtoi se Foreign Office nuk kishte shfaqur asnjë interes kur ai i kishte treguar atëherë për infeksionin. Ndërkohë është përshëndetur fakti që dy mjeke italiane, Francesca Colavita e Concetta Castilletti arritën ta izolonin virusin e rrezikshëm, një ndihmë e madhe kjo për ekipet e kërkuesve në mbarë botën të cilët janë angazhuar në maksimum ta njohin sa më mirë virusin e ri, në përpjekje për të gjetur mjekimin e duhur e për të zhvilluar një vaksinë kundër tij.
Dy mjeket panë se 2019-nCoV, i marrë nga gjaku I një pacienti kinez të shtruar në spital, kishte aftësinë të shumëfishohej shpejt dhe të dëmtonte qelizat e sulmuara, duke i ndryshuar dhe formën.



















