Të enjten, më 3 shtator, Ambasadori Britanik RuairÍ O’Connell, mori pjesë në nënshkrimin e Memorandumit të Mirëkuptimit në mes të Kryetarit të Komunës së Mitrovicës së Veriut, Goran Rakiq, dhe Drejtorit të OJQ-së Qendra Avokuese për Kulturë Demokratike (ACDC), Dushan Radakoviq , njofton Ambasada Britanike në Prishtinë.
Projekti “Shoqëria civile për qeveri transparente”, financuar nga Ambasada Britanike dhe implementuar nga ACDC, synon fuqizimin e organizatave të shoqërisë civile (OSHC) për të monitoruar dhe për të raportuar korrupsionin në mënyrë efektive. Kjo ndihmon qeveritë lokale për të përmbushur detyrimet e tyre ligjore në mënyrë efektive në aspektin e qeverisjes transparente, dhe më tej të ngrisë vetëdijen e qytetarëve në lidhje me veprimet e mundshme korruptive dhe mekanizmat për t’i raportuar ato.
Nënshkrimi i Memorandumit të Mirëkuptimit demonstron vendosmërinë e institucioneve lokale dhe OSHC-të për forcimin e sundimit të ligjit i cili është thelbësor për mbrojtjen e lirive individuale, demokracisë dhe zhvillimit ekonomik. Me këtë rast, Ambasadori O’Connell tha: “E vetmja mënyrë për t’u marrë me korrupsionin është të përdorim fuqinë e popullit. Projekti do të ndihmojë qytetarët për të përmirësuar administratën publike dhe përgjegjësinë për zgjedhjen e problemeve t’ja bartin institucioneve publike përgjegjëse. Unë jam i kënaqur të shoh bashkëpunimin ndërmjet ACDC-së dhe Komunës së Mitrovicës Veriore. Gatishmëria e komunës për t’u monitoruar është arsye për optimizëm “, thuhet në njoftimin e Ambasadës Britanike në Prishtinë.
















