Kreu i Shërbimit Informativ Shtetëror, Visho Ajazi Lika, do të jetë i fundit person që do të thërritet në Komisionin e Sigurisë për një seancë dëgjimore në lidhje me konstatimet për përgjime të zyrtarëve të lartë të vendit, përfundim ky i nxjerrë nga hetimi i veprimtarisë së këtij institucioni bërë nga tre deputetët e mazhorancës. Vetë kreu i Komisionit të Sigurisë, Spartak Braho, ka konfirmuar se aktualisht po shqyrtohet dosja prej 30 faqesh që solli grupi i punës, i cili inspektoi punën e SHISH që prej muajit prill e deri më tani. Sipas Brahos, komisioni nuk i ka dërguar letër kryeagjentit, e se thirrja e Ajazit do të bëhet në një moment të dytë, kur të ketë përfunduar hetimi nga grupi hetimor me deputetët Pjerin Ndreu, Pirro Lutaj, si dhe Xhemal Qefalia. “Kur të mbarojnë, patjetër..”, ka qenë kjo përgjigjja e shkurtër e Brahos teksa u pyet për mundësinë e një seance dëgjimore me kreun e SHISH. Grupi i punës me tre deputetët e mazhorancës janë ende duke hetuar shkeljet që janë bërë nga SHISH duke filluar që nga emërimet në këtë institucion apo dhe përgjimet. Ndërkohë, raporti i parë i hartuar, ku konstatohen shkelje të rënda jo vetëm administrative, por dhe penale të drejtuesit të Shërbimit të Inteligjencës Shqiptare, ka kaluar në dorë të kreut të Kuvendit dhe Kryeministrit. Grupi i deputetëve u mandatua në 23 prill për të verifikuar ligjshmërinë e shkresës sekrete dërguar në dhjetor të 2013-s drejtorëve të SHISH në prefektura. Në këtë dokument, atyre u kërkohej informacion mbi persona të implikuar në veprimtari antiligjore, emëruar në pozicione drejtuese në Policinë e Shtetit. Por megjithatë vetëm në maj, deputetët nisën punën në zyrat e Shërbimit Informativ dhe kishin mandat kontrolli deri në fund të korrikut. Mandat i cili në një mbledhje të mëhershme të Komisionit të Sigurisë ishte shtyrë. Në raportin e parë prej 30 faqesh evidenton shkelje të Visho Ajazi Likës, për sa u përket përgjimeve të institucioneve, duke tejkaluar kompetencat. Mazhoranca pretendon se ai ka përgjuar përveç drejtuesit të qeverisë dhe Kuvendit dhe kryetarin e opozitës. Po ashtu SHISH, nuk ka informuar qëllimisht strukturat e tjera shtetërore për ngjarjet kriminale në vend, që kulmuan me shpërthimet me tritol. Por nga ana tjetër, shërbimi akuzohet dhe për rrjedhje informacionesh sekrete, si dhe emërime të paligjshme brenda stafit. Ky raport aktualisht ndodhet në Komisionin e Sigurisë prej gati 2-javësh dhe është duke u shqyrtuar.
Ekskluzive/ Sa viza aprovoi dhe refuzoi Anglia për shqiptarët janar-shtator 2023
Për të njëjtën periudhë kohore për viza familjare aplikuan 1,365 shtetas shqiptarë. Në të gjitha deklarimet publike, kryeministri Anglisë Rishi...
















