Prej dy ditësh deputeti socialist Erion Braçe ka sulmuar publikisht Blendi Fevziun dhe qëndrimet e tij kundër politikanëve të korruptuar. Braçe i ka përmendur edhe një ndërtim që është bërë mbi një tokë ku rrezulton që pronare të jetë edhe familja e Fevziut. Fjala është për një pallat që po ngrihet pranë selisë së vjetër të Partisë Demokratike.
Por duke e injoruar deputetin socialist drejtuesi i emisionit “Opinion” ka vendosur ti shkruajë një letër të hapur Ramës. Nëse deputeti yt më quan hajdut, a je ti hajduti që ke firmosur për atë leje? A je ti ai që ka marrë para për të? – është mesazhi i Fevziut. Ja çfarë shkruan ai në «Opinion.al» ne shkrimin me titull: Kush nga ne vjedh?
“Një nga deputëtët e tu, bën aluzione për një pronë të madhe, në qendër të Tiranës, ku ime më, ishte pronarë e thuajse 1.8 % të sipërfaqes. Meqenëse ajo ka firmosur një kontratë sipërmarrje në vitin 1999 me 374 bashkëpronarë të tjerë, zotëria lë të kuptohet se aty janë bërë favore të pamerituara. Po, aty i është dhënë një grupi biznesmenësh leja për të ndërtuar një qendër tragtare. Lejen e keni firmosur ju në vitin 2008 dhe pas jush i ndjeri Olldashi në 2009. Nuk kam pasur asnjë komunikim me ju në atë kohë dhe ju jeni përpara sfidës. Nëse keni dhënë leje të parregullt dhe keni favorizuar 373 pronarë që ti bëjë nder të 374 atëherë, kene shkelur ligjin. Unë nuk mbaj mend t’i kem dhënë ndonjëherë lekë dikujt në jetën time sepse s’më është dashur. Nëse ju keni marrë lekë për atë firmë, atëherë ju jeni hajdut! Nëse jo, nëse gjithçka ka qenë e rregullt dhe brenda llogjikave normale se si është ndërtuar gjithë Tirana, atëherë konet e grupit tuaj politik gënjejnë dhe mashtrojnë. Jepi përgjigje kësaj sfide po qe se ke kurajo qytetare”.
















