Ambasadori i Holandës në Kosovë, Robert Bosch, ka thënë se serbët në Kosovë nuk kanë arsye të ankohen¸sepse gëzojnë më shumë të drejta se çdo minoritet, kudo në botë. Ai ka thënë se për shkak të kushteve të jetesës nga Kosova më shumë largohen shqiptarët se serbët.
“Shikoni kush po lëshon Kosovën. Nuk janë serbët që po ikin prej Kosovës, por shqiptarët po ikin. Jeta nuk është e mirë për shumicën e njerëzve dhe nëse serbet thonë se nuk po jetojnë mirë, nuk ka të bëjë asgjë me serbët, por me vendin. Vendi është ai që nuk është mirë, prandaj, mos u ankoni gjatë gjithë kohës se nuk po jetoni mirë vetëm pse jeni serbë, sepse kjo edhe i irriton të tjerët. Punoni për bashkim e jo për ndarje”, ka thënë Bosch , në një intervistë për gazetën “Zëri”.
“Të drejtat e minoritarëve serbë në Kosovë janë më të mira se të drejtat e të gjitha minoriteteve në botë”, ka theksuar ai, transmeton Zëri.info.
Ambasadori Bosch u ka bërë thirrje përfaqësuesve të Listës Serbeë të kthehen në institucionet e Kosovës, duke theksuar se bojkoti I dëmtën më së shumti vetë serbët.
“Kthehuni në institucione, mos u ankoni, tregohuni të mirësjellshëm, dëshmoni që e doni këtë vend. Nuk është në rregull që gjatë gjithë kohës, të thuhet se serbët po jetojnë keq në Kosovë, dhe se po trajtohen keq. Serbët nuk trajtohen keq në Kosovë, ata trajtohen mirë. Dhe nëse njerëzit nuk po jetojnë mirë është sepse shumë njerëz nuk po jetojnë mire”, ka thënë Bosch.
“Duke mos marrë pjesë në asnjë proces shtetëror, ata edhe nuk mund të marrin vendime, prandaj krejt kjo situatë shkon në dëm të tyre”, është shprehur Bosch















